Aktuale
Nisin punimet për “Shtigjet e Ecjes” në Rahovec

Gjatë ditës së sotme, kanë nisur punimet në realizimin e njërit ndër projektet më me interes për qytetarët e Komunës së Rahovecit “Shtigjet e Ecjes”. Në fillimin e punimeve i pranishëm ishte kryetari i Komunës, Smajl Latifi, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Pas fillimit të punimeve Latifi tha se sot po nisin punimet në realizimin e një projekti “Shtigjet e Ecjes”, projekt ky shumë i rëndësishëm dhe në vendin e veçantë pra nën “Majën e Shkodranit”.
Kjo pjesë e qytetit me përfundimin e punimeve të këtij projekti do të jetë zonë turistike pasi që edhe i plotëson kushtet që të jetë e tillë. Kryetari ka kërkuar nga punëkryesi që punët t’i kryejnë me cilësi të lartë dhe sipas kontratës së nënshkruar.
Kurse përgjegjësit e firmës e cila ka marrë projektin për të ndërtuar “Shtigjet e Ecjes”, ka premtuar se përfundimi i punimeve në këtë projekt do të jetë para afatit të cilin është paraparë në kontratë.
“Në kuadër të projektit, është paraparë të ketë parking në fillimit shtegut dhe shtëpizë nga druri për informim, këndin për lodra për fëmijë te vendi i quajtur “Maja e Shkodranit”, ndriçim solar, pushimore, ëc publike, drunj dekorativ dhe dy teleskopë”, thuhet në komunikatë.
Projekti ka një gjatësi prej 1 kilometër e 500 metra, dhe që financohet nga Ministria e Zhvillimit Rajonal me 125 mijë euro, kurse Komuna e Rahovecit me 10 mijë e 500 euro.

