Ministri në largim Lekaj tha se këto punime janë me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe lidhjen e korridoreve.
“Ne po i përmbushim premtimet tona që shkojnë në zhvillimin e infrastrukturës qe i lidhin korridoret edhe ky segment rrugorë edhe pse jo shumë i gjatë e ka vlerën e vet sepse i lidh dy regjione dhe është investim dobiprurës. Ne po punojmë që infrastruktura të ndikoj në zhvillim ekonomik”, tha Lekaj.
Kryetari i Gjakovës Ardian Gjini ka thënë se punimet e këtyre rrugëve nuk kanë mbetur vetëm premtime elektorale, por edhe janë realizuar.
“Kjo rrugë ka mbet për një kohë e pashfrytëzuar sepse është degraduar. Sot e nisim këtë projekt diku 4 kilometra rrugë që kushton 255 mijë euro ka qenë premtim elektoral i pastër e jo vetëm me i thënë dikujt diçka, projekti ka qenë i rëndësishëm pasi lidh regjionet dhe qytetin”, tha Gjini.
Lekaj dhe Gjini kanë marrë pjesë edhe në fillimin e punimeve të rrugës “Ramamat” të Gjakovës.
Lekaj ka thënë se qytetarët e kësaj ane kanë pasur nevojë të kenë infrastrukturë rrugore ndërsa ka shtuar tutje se projekte të tilla do të vazhdojnë.
“Ju e patë që përveç infrastrukturës së rrugëve regjionale e komunale tani kemi filluar të zhvillohemi në infrastrukturën edhe nëpër lagje. E tha kryetari këta qytetarë kanë pasë kërkesë mirëpo deri tani s’kemi mundur t’i kryejmë obligimet tona ndaj tyre. Ne vazhdojmë me rrugët tona, punën tonë për qytetarët” ka thënë Lekaj.
Kryetari Ardian Gjini ka thënë se këto projekte do të rregullojnë jetën e qytetarëve.
“Po i nisim punimet në rrugë, prapë e kemi një pjesë të banorëve tanë që janë në gjendje jashtëzakonisht të keqe dhe këto rrugë do të ndikojnë jashtëzakonisht shumë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, po flasim për 10 akse, 6 lagje me gjatësi totale 2.5 kilometra me vlerë 175 mijë euro”, ka thënë Gjini, raporton EO