Aktuale
Nisin punimet në Qafën e Muzinës, Rama: Tiranë-Sarandë për 3 orë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka përuruar ditën e sotme fillimin e punimeve në rrugën Kardhiq-Sarandë, e cila do të shkurtojë largësitë sipas tij jo vetëm me zonat e afërta, por edhe me Tiiranën.
Rama tha se qeverisë iu desh një mandat për të zgjidhur malin me borxhe të së shkuarës për të nisur këtë projekt kombëtar që do të zgjidhë edhe problemet ekonomike dhe zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
“Historia shekullore e Kardhiqit, dikur me nga 200-300 shtëpi, ku sot janë shpopulluar, se kanë mbetur jashtë rrugës së zhvillimit, merr kthesë si histori e një zone, ku ka një potencial të madh zhvillimi turistik e ekonomik dhe nga ana tjetër ka edhe një potencial të jashtëzakonshëm mbi ekonominë kombëtare, – u shpreh Rama. – Nëse sot, Gjirokastra dhe Saranda, janë pranë, por me një distancë që nuk e inkurajon fluksin intensiv të lëvizjes, nesër do jenë një dhe e gjithë lidhja e Sarandës me pjesën e sipërme duke kaluar përmes Kardhiqit, do jetë më shpejtë dhe e sigurt”.
Kreu i qeverisë theksoi se projekti i ri nuk është asgjë më shumë se rikonceptim i standardeve të kohës së sotme, që është përdorur më parë nga Ilirët, oomakët, turqit e grekët gjatë historisë.
“Rruga e re, është një çarje shumë e rëndësishme për të shmangur qafën e vështirë e të amortizuar të Muzinës dhe shkurtuar lidhjen e Tiranës e Sarandës, – nënvizoi Rama. – Me përfundiumin e këtij aksi dhe atë të ‘by pass”-it të Fierit, ku më në fund po zgjidhet si lak në fytin e të gjithëve e do nisë puna shpejt, ne do kemi një lidhje Tiranë-Sarandë, që nuk do marrë më shumë se 3 orë kohë, diçka e paimagjinueshme kohë më parë. Ne do ndërtojmë rrugë evropiane, jo rrugë që janë edhe rrugë, edhe udhëkryqe, edhe për të ecur lopa, edhe për të shitur mallra. Këto lloj rrugësh duhet t’i arkivojmë në të shkuarën. Ne kemi mundësi ta bëjmë një gjë të tillë. Na u desh një mandat të hiqnim malin që kishim me borxhe nga qeveria e kaluar. Si rrugë të lëna rrugëve dhe gjithë ajo propagandë e mijëra km rrugë, ishite problem tenderësh”, – shtoi ai.
