Aktuale
Nisin hetimet për ndërrimin e trasesë së autostradës Prishtinë-Pejë

Për pretendimet e banorëve të fshatrave Burim (ish-Stapanicë), Rixhevë, Zabërxhë dhe Gllarevë, që kanë të bëjën për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Pejë, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka nisur hetime.
Kështu kanë bërë të ditur për Ndërtimi.info, zyra e Institucionit të Avokatit të Popullit.
“Avokati i Popullit në pajtim me dispozitat e Ligjit për Avokatin e Popullit, ka hapur hetime lidhur me pretendimet e ankuesve. Aktualisht hetimet lidhur me ankesën në fjalë, janë në procedurë e sipër, për rezultatin e të cilave ankuesit do të njoftohen me kohë”, thuhet në përgjigjien e këtij institucioni.
Ankesën e banorëve Institucioni i Avokatit të Popullit për mundësinë e ndërrimit të trasesë e kishte pranuar me 27 nëntor të vitit që lamë pas.
“Referuar pyetjeve tuaja me e-mail, te derguara ne Institucionin e Avokatit te Popullit, ju njoftojme se Institucioni i Avokatit të Popullit, më 27 nëntor 2017, ka pranuar ankesën e banorëve të fshatrave Burim/ish Stapanicë, Rixhevë, Zabërxhë dhe Gllarevë, lidhur me pretendimet se autoritetet përkatëse kanë për qëllim të devijojnë kahjen e një segmenti rrugor Prishtinë-Pejë”, thuhet ndër tjera në përgjigjie.
Mundësia për ndërrimin e trasesës ku do të nisin punimet për ndërtimin e rrugës Kijevë -Zahaq, nxitën reagimin e banorëve dhe bizneseve atje.
Banorët dhe bizneset nuk po duan që rruga Kijevë-Zahaq të bëhet në trasenë e re, pasi që sipas tyre kjo do të bëjë që tu vihet çelësi 80 bizneseve.
Rikujtojmë që me 18 dhjetor të 2017-ës, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje për hua me vlerë 71 milionë euro me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Marrëveshja është nënshkruar nga ministri i Financave, Bedri Hamza dhe drejtoresha e BERZH-it për Transport, Sue Barrett.
