Aktuale
Nis rikonstruimi i rrugëve në veri
Kanë nisur punimet në rikonstruimin e rrugës kryesore në ‘Lagjen e boshnjakëve’ në veri të Mitrovicës, përkatësisht nga udhëkryqi kryesor në këtë lagje deri tek ura kryesore mbi Ibër.
Gjatë 60 ditëve sa do të zgjasin këto punime, parashihet të nderohet rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit, asfaltimi i rrugës dhe ndërtimi i trotuareve të reja, si dhe instalimi i ndriçimit të ri publik.
Adriana Hoxhiq, shefe e Administratës në komunën e veriut të Mitrovicës, ka bërë të ditur për KosovaPress se rruga ku po zhvillohen punimet është e gjatë rreth 470 metra dhe kap vlerën mbi 400 mijë euro, ndërsa është investim i Komunës së veriut të Mitrovicës.
“Pas disa procedurave burokratike, më në fund sot filluan punimet në rikonstruimin e plotë të kësaj rruge që është me rëndësi të veçantë për banorët e kësaj lagje me popullatë të përzier. Është një projekt i aprovuar nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore që është paraparë me buxhetin e vitit 2017 dhe kap shumën prej mbi 400 mijë euro”, ka thënë Hoxhiq.
Ajo kërkoi mirëkuptimin e banorëve të lagjes për shqetësimet që mund të vijnë gjatë zhvillimit të punimeve, ndërsa siguroi për përfundimin e punimeve gjatë këtij viti.
Në anën tjetër, banorët e këtushëm u shprehën të kënaqur me punën e Komunës, duke thënë se projekte të tilla që po realizohen në mjediset e tyre pa dyshim se përmirësojnë dukshëm jetën e tyre.
“Kam qenë skeptik, por ja që doli se kam gabuar. Komuna jo vetëm që po e asfalton rrugën, por paralel me këtë po ndërton edhe rrjetin e kanalizimit, ujësjellësit, ndriçimin, kërkesa këto të kamotshme tonat”, theksoi Albert Gashi.
Sipas tij, tani jeta për banorët e kësaj lagje bëhet shumë më e lehtë dhe më e rehatshme.
Ngjashëm u shprehën edhe banorët tjerë të kësaj zone pa dallim etnie.