Aktuale
Nis ndërtimi i objektit shkollor për nxënësit me nevoja të veçanta në Podujevë

Nxënësit me nevoja të veçanta në Podujevë, tash e tutje do të kenë një shkollë ku do të mund t’i ndjekin mësimet. Komuna prej nga vijnë, të martën ka filluar ndërtimin e objektit-ankesit shkollor për këta nxënës. Ky objekt do të ndërtohet në oborrin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Kongresi i Manastirit” në Gllamnik, shkruan Ndërtimi.info.
Në prani të qytetarëve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle, gurthemelin për ndërtimin e objektit e kanë vendosur Agim Blakçori – drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Bejtush Fazliu – përfaqësues i Shoqatës “Kinderaugen” dhe Ajet Ajeti – drejtor i shkollës “Kongresi i Manastirit”.
Projekti i ndërtimit të këtij objekti-aneksi shkollor financohet nga Shoqata “Kinderaugen” e qytetit Hude i Gjermanisë.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi publik në faqen zyrtare e komunës që udhëhiqet nga Agim Veliu.
Drejtori i drejtorisë së arsimit në Podujevë, Agim Blakçori, tha se vlerësoi iniciativën e shoqatës gjermane për ndërtimin e këtij ankesi në shkollën “Kongresi i Manastirit”, në të cilën i ndjekin mësimet nxënësit me nevoja të veçanta.
Ndërsa, përfaqësuesi i shoqatës “Kinderaugen”, Bejtush Fazliu, tha se ndjehet i lumtur që po kontribuojnë në krijimin e kushteve më të mira për mësim, për këtë kategori nxënësish.
Edhe drejtori i shkollës, Ajet Ajeti, u shpreh i lumtur për fillimin e realizimit të këtij projekti dhe falënderoi Shoqatën “Kinderaugen” për investimet që po bën në këtë shkollë.
Objekti, në të cilin do të ndjekin mësimet 19 nxënës me nevoja të veçanta do të ketë dy dhoma mësimi dhe pritet të jetë i gatshëm për vitin shkollor 2018/19.
Ndërtimi i këtij objekti nuk është donacioni i parë i Shoqatës gjermane “Kinderaguen” për shkollën e “Kongresi i Manastirit”. Kjo shoqatë në vitin 2016 ka financuar ndërtimin e këndit të lojërave për nxënësit e kësaj shkolle, kurse vitin e kaluar ka dhuruar pajisje didaktike./Ndërtimi.info
