Aktuale
Nis asfaltimi i rrugës në Vërrnicë të Mitrovicës
Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Besnik Beka, ka inspektuar punimet për asfaltimin e rrugës së Vërrnicës.
Banorët e Vërrnicës janë shprehur të jenë të kënaqur me realizimin e premtimit të kryetarit Bahtiri për asfaltimin dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në fshatin e tyre.
Ata thanë se ishin skeptik kur kryetari Bahtiri ju kishte premtuar asfaltimin e rrugës dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimit, pasi që deri tash të gjithë kryetarët e mëparshëm të komunës, kishin premtuar gjatë fushatës zgjedhore, por që nuk e kishin mbajtur fjalën.
“Ne ishim skeptik, por ja që doli se kishim gabuar. Kryetari Bahtiri, jo vetëm që e asfaltoj rrugën, por paralel me këtë e ndërtoi edhe rrjetin e kanalizimit, kërkesa këto të kamotshme tonat dhe me këtë na e ka bërë jetën shumë të lehtë e më të rehatshme. Ne dolëm në selamet dhe i jemi mirënjohës shumë kryetarit Agim Bahtiri, që na nxori nga balta, e cila na shkaktonte plotë mundime e probleme”, thanë njëzëri fshatarët që po e përcillnin asfaltimin e rrugës.
Kryetari Bahtiri, ju tha banorëve të Vërrnicës pasi përfunduan këto projekte që janë me rëndësi të jashtëzakonshme për banorët, komuna do të investojnë edhe në projekte të tjera që kanë për qëllim përmirësimin akoma të cilësisë së jetës së tyre dhe ndalimin e plotë të zhvendosjes së qytetarëve nga trojet e tyre.
Në Vërrnicë, në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës, brenda dy-tri ditësh do të përfundojnë projektet e latpërmendura në vlerë prej mbi 500.000 euro. Projekte pra përfshijnë ndërtimin e kanalizimit fekale në gjatësi prej rreth shtatë kilometra dhe asfaltimin e rrugëve në gjatësi prej 3.5 kilometra.