Aktuale
Ngritët aktakuzë ndaj kompanisë ku vdiq 17 vjeçari, Seldin Alija

Pas më shumë se gjashtë muaj nga vdekja e 17-vjeçarit, Seldin Alija në vendin e punës, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj fabrikës së stiroporit “SatStyro”, ku ai ishte i punësuar, shkruan Ndërtimi.info.
Këtë për Ndërtimi.info e kanë konfirmuara nga Prokuroria në Prizren.
“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër personit juridik gjegjësisht kompanisë së stiroporit me seli në fshatin Mushnikovë – Komuna e Prizrenit, dhe kundër personit përgjegjës me inicialet A.B., për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Sipas aktakuzës, i ndjeri S.A., nga fshati Lubizhdë – Komuna e Prizrenit ka qenë i angazhuar me kontratë sezonale në fabrikën e stiroporit pronë e të akuzuarit A.B”, thuhet nga Prukroria.
Sipas prokurorisë, i ndjeri Seldin Alija nuk kishte qenë i trajnuar për punën të cilën ishte duke e bërë kur gjeti vdekjen.
“Kështu, me datë 30.06.2018, rreth orës 11:30 në fabrikën e stiroporit e cila gjendet në fshatin Mushnikovë – Komuna e Prizrenit, derisa i ndjeri ishte duke punuar në vendin e tij të punës në makinën për riciklimin e mbeturinave të stiroporit, dhe duke mos qenë i trajnuar dhe udhëzuar për mënyrën e përdorimit të makinës, në një moment e kap thesin e mbeturinave pezull dhe tenton ta shkund në makinë, dhe papritmas në mungesë të masave mbrojtëse, makina duke e tërhequr thesin, e tërheq edhe viktimën bashkë me të, me ç’rast i njëjti edhe humb tragjikisht jetën”, thuhet tutje.
Personi kompenent për siguri dyshohet se ka kryer veprën penale ““Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
“Në këtë mënyrë, i akuzuari A.B., si person juridik dhe si person përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 367, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 dhe paragrafin 7 të KPRK-së”, theksohet nga Prokuroria në Prizren”, kanë shtuar nga Prokuriria.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila u vihet në barrë.
https://ndertimi.info/ekskluzive-2000-euro-gjobe-per-kompanine-ku-vdiq-punetori-17-vjecar-seldin-alija/
Rasti i Seldin Alijati kishte ndodhur në muajin qershor të vitit të kaluar, për të cilën rast kompania “SatStyro” ishte gjobitur nga Inspektorati i Punës me 2 mijë euro dhe për kohë të caktuar i ishte pezulluar puna./ Ndërtimi.info/
