Aktuale
Ngrihet padi ndaj arkitektit Bjarke Ingels për projektin e Teatrit Kombëtar

Partia Demokratike padit arkitektin Bjarke Ingels, pasi sipas saj është përfshirë në mënyrë të paligjshme në projektin korruptiv të grabitjes së tokës publike te Teatri Kombëtar.
Akuzat në padinë që Partia Demokratike ka depozituar në prokurori kundër arkitektit danez janë 3: “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”; “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”; dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Mes të tjerave, në padi, theksohet fakti se për t’i hapur rrugë projektit të Bjarke Ingels, të porositur nga Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë që në 2016-ën, pa u bazuar në asnjë procedurë ligjore, qeveria ka ndërmarrë disa veprime përpara paraqitjes nga “Fusha shpk” të propozimit të pakërkuar për të ndërtuar një teatër të ri dhe disa kulla përreth, i cili mban datën Shkurt 2018.
1. Në 12 Prill 2017 qeveria heq Teatrin Kombëtar dhe territorin përreth nga Zona e Qendrës Historike të Tiranës.
2. Në 14 Prill 2017 miratohet Plani i Përgjithshëm Vendor i Bashkisë Tiranë, në të cilin, ndryshe nga çdo zonë e kryeqytetit ku përcaktohet intensiteti i ndërtimit dhe specifikime të tjera teknike, për zonën e Teatrit Kombëtar, nuk përcaktohet asnjë kufizim për lartësinë e ndërtesave dhe koeficentin e shfrytëzimit të truallit.
3. Në 13 Mars 2018, në shkelje të çdo ligji vendas dhe ndërkombëtar, pa garë, pa procedurë, pa tender, kryeministri Edi Rama shpall fitues projektin e Bjarke Ingels, i porositur prej tij dhe prej Kryetarit të Bashkisë së Tiranës që në 2016-ën, duke paracaktuar edhe ndërtimin e kullave nga Fusha shpk, që ka marrë përsipër pagesën e projektit të Bjarke Ingels.
Për këtë padi, Partia Demokratike ka njoftuar edhe Ministrinë e Drejtësisë së Danimarkës, duke qenë se studio arikitekturore e Bjarke Ingels, “BIG-BJARKE INGELS GROUP”, ka qendrën ne Kopenhagen të Danimarkës.
Kujtojmë gjithashtu se:
Projekti i prezantuar nga një prej studiove më të mëdha ndërkombëtare të arkitekturës në botë, “Bjarke Ingels Group” me qendër në Danimarkë, ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vet publikun. Projekti gjithashtu garanton një akses të këmbësorëve që udhëtojnë nga rr. “Sermedin Said Toptani” në rrugën paralelë me të. Gjithashtu hyrja kryesore në teatër sipas projektit, është e mundur përmes shëtitores “Murat Toptani”./BalkanWeb
