Aktuale
Ngecja e investimeve në Brezovicë

Është destinacioni turistik më i vizituar gjatë dimrit në Kosovë.
Me një pozitë të mirë gjeografike, një lartësi mbidetare prej 2500 metrash, e një klimë të butë, Brezovica ka potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit.
Por, investimet kanë ngecur në këtë resort turistik.
“Molika” është një nga hotelet më të vjetra në Brezovicë, ai menaxhohet nga serbët dhe që nga paslufta ka mbetur në gjendjen e njëjtë.
Zhvillimin e Qendrës Turistike dhe ndërtimin e infrastrukturës atje, e provoi Qeveria e Kosovës përmes privatizimit në vitin 2016.
Projekti qysh në fillim u kritikua dhe nga njohësit e turizmit u pa me skepticizëm.
Dështimi për privatizimin e Brezovicës dërgoi mesazh negativ për investitorët e huaj.
E që nga atëherë, nuk është ndërmarrë më asnjë iniciativë për t’i tërhequr investitorët potencialë.
Qeveria, sipas Odës Ekonomike, ka mundësi që përmes Ligjit për investime strategjike, Brezovicën ta kthejë në hartën e vendeve që ofrojnë turizëm dimëror.
Por, i rezervuar shprehet kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, kur bëhet fjalë për ringjalljen e Brezovicës nëpërmjet Ligjit për investime strategjike.
Megjithatë, Qeveria ka në plan pikërisht që projekti për Brezovicën të realizohet përmes këtij ligji.
Por, që përparësitë natyrore të Brezovicës të shfrytëzohen si duhet, ekspertë të turizmit thonë se Qeveria duhet të sa më parë të aktivizohet.
I vetmi investim i Qeverisë së Kosovës është vendosja e kësaj laure këtu në hyrje të parkut. Gjatë sezonit të kaluar dimëror për gjatë tre muajve sa ishte e vendosur janë grumbulluar rreth 30 mijë euro, të cilat kanë shkuar direkt në buxhetin e Kosovës. Ministria e Mjedisit thotë të ketë kontraktuar kompani të sigurimit që do t’i kontrollojnë hyrje – daljet e parkut.
Në Ministrinë e Mjedisit, thonë se kompania e kontraktuar do të përcjellë edhe hyrje -daljet e materialeve ndërtimore dhe çështjeve të tjera, me qëllim ngritjen e nivelit të cilësisë së menaxhimit të Parkut.
Së fundi, ministria ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në vlerë prej 35 mijë eurosh me Komunën e Shtërpcës për mirëmbajtjen e rrugës dhe hapjen e parkingjeve të reja.
Ministri i Mjedisit thotë se janë duke u angazhuar t’i ndalojnë ndërtimet pa leje, e përmes digjitalizimit të laurave tentojnë të ofrojnë siguri më të madhe për turistët.
Pavarësisht mungesës së investimeve Brezovica mbetet një ndër destinacionet turistike, në veçanti gjatë dimrit, për shumë vizitorë jo vetëm nga Kosova. Të gjitha të hyrat që mblidhen në Qendrën e Skijimit asnjëherë nuk kanë shkuar në buxhetin e shtetit të Kosovës.
Megjithëse, viteve të fundit janë shtuar edhe bizneset kosovare, në Brezovicë vazhdojnë të dominojnë ato serbe.
