Aktuale
Ngec tenderi për sinjalizimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve
Tenderi që ka të bëjë me sinjalizimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës për Lot-3 po ngecë. Krejt kjo si shkak i parregullsive që po pretendohet të jenë bërë në përzgjedhjen e kompanisë fituese nga Ministria e Infrastrukturës.
Pretendime këto që po vijnë nga konsorciumi N.P. “Dorëarti-Beni Com” Sh.P.K- N.T “Lindi Markings”. Ky konorcium në ankesën dërguar Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) është ankuar se Ministria e Infrastrukturës si Autoritet Kontraktues për tenderin e lartcekur ka shkelur nenet e ligjit të Prokurimit.
Sipas tyre në dhënien e kontratës për kompaninë fituese nuk janë marrë parasysh neni 59 që ka të bëjë me ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve, nenin 60 që parashihen kriteret për dhënien e kontratës, neni 79 që ka të bëjë me mjetet e komunikimit si dhe neni 7 që është barazia në trajtim jo diskriminim.
Në ankesë tutje thuhet se kompania e rekomanduar për kontratë shumicën e kontratave i ka të skaduar dhe partneri i tij në konsorcium nuk e ka asnjë kontratë të vetme të sinjalizimit horizontal dhe vertikal.
“Të gjitha kontratat i kishte në mirëmbajtjen e rrugëve, me kosit bar, me mshel gropa dhe me pastru borë ku nuk i përshtaten kushteve në dosjen e tenderit. Pra, ky OE nuk i plotëson kërkesën në dosjen e tenderit në FDT të kapacitetit teknik dhe financiar”, thuhet në ankesë, përcjellë Ndërtimi.info.





