Aktuale
NEWBORN-i gati për transformimin e radhës, por pa bazament
Monumenti me të cilin identifikohet pavarësia e Kosovës përmes artit, “NEWBORN” nuk do ta ketë bazamentin as sivjet. Megjithëse vitin e kaluar Komuna e Prishtinës kishte kontraktuar një kompani për këtë çështje, punët nuk janë kryer. Por edhe sivjet monumenti do të transformohet.
“Punët do të nisin pas shënimit të përvjetorit, pasi sikur të nisnin më herët nuk do të përfundonin deri më 17 shkurt”, ka thënë Ahmeti të enjten. Sipas përshkrimit të dosjes së tenderit, baza e monumentit është paraparë si një pllakë masive nga betoni i armuar me trashësi 20 centimetra. Aty sqarohet se si mbrojtje nga lagështia është paraparë që pllaka të lyhet me ngjyrë mbrojtëse me tri shtresa. Krejt kjo punë do të kushtojë 20 mijë euro.
Autori i monumentit, Fisnik Ismajli, ka konfirmuar se NEWBORN-i do të ndërrojë pamje edhe sivjet. Por projektin nuk e ka bërë të ditur. E monumenti i mbrojtur që prej vitit 2015 tashmë është rrethuar me skele. Vitin e kaluar ngjyrosja u ishte lënë në dorë të rinjve sipas dëshirës së tyre. Në 10-vjetorin e pavarësisë, monumentit në vend të shkronjës “B” i ishte vënë numri “1”, që bashkë me shkronjën “O” formonin numrin 10, që lidhej me dekadën e parë të pavarësisë. Ngjyrosja më 2017-n ia kishte dhënë pamjen e një muri, dhe rrëzimi i dy shkronjave krijonte thirrjen “No Walls” (Pa mure). Për katër vjet NEWBORN-i kishte pamjen fillestare me shkronja të verdha. Më 2013-n, në pesëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, për herë të parë ndërroi pamjen kur do të ngjyrosej me flamuj të shteteve që deri atëherë e kishin njohur shtetin. Më 2014-n u “vesh” me uniformë ushtarake e në shkurt të vitit 2015, Fisnik Ismaili kishte ftuar qytetarët që ta ngjyrosnin si të donin. Asokohe, ndër të tjera, E-ja u bë e zezë, e këtë autori e kishte lidhur me eksodin, Evropën, ekonominë e EULEX-in. E në vitin 2016, telat me gjemba i jepnin pamje të vrazhdë qiellit të kaltër.
I inauguruar më 17 shkurt 2008, kur Kosova kishte shpallur pavarësinë, obelisku menjëherë ishte shndërruar në brend të shtetit të ri. NEWBORN-i ka marrë shpërblime ndërkombëtare për dizajn, duke përfshirë edhe “Luanin e artë” në Festivalin e 55-të ndërkombëtar për publicitet në Cannes. Agjencia “Ogilvy Kosova” ishte shpërblyer edhe me “Silver Clio” në kategorinë e dizajnit në ceremoninë e 49-të me radhë të mbajtur në Miami.