Aktuale
Nesër rifillon procesi ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve në rastin ‘Toka’

Më shumë se katër muaj qëkur EULEX-i njoftoi se do ta transferoj lëndën tek gjyqtarët vendorë, ish-deputeti i PDK-së Azem Syla dhe të akuzuarit e tjerë në rastin e njohur si “Toka”, priten të dalin nesër para trupit gjykues.
Lajmin për mbajtjen e seancës e konfirmuan avokati mbrojtës i Azem Sylës, Besnik Berisha dhe avokati Tomë Gashi.
Më 20 shkurt të këtij viti, kryetari i trupit gjykues i EULEX-it Petko Petkov, njoftoi se kjo lëndë është transferuar tek gjyqtarët vendorë.
Një vendim të tillë prokurori i EULEX-it që përfaqësonte këtë lëndë e pati quajtur “përfundim i rastit”.
Pak kohë pasi rasti u transferua tek vendorët, gjyqtari vendor e liroi nga masa e paraburgimit Azem Sylën, ndërsa këtë vendim e ndryshoi Gjykata e Apelit duke i vendosur masën e arrestit shtëpiak.
Saktësisht më 12 mars të këtij viti Kallxo.com raportoi se Azem Sylës i ishte ndërprerë paraburgimi.
Ndërsa javë më pas, Gjykata e Apelit, ia ndryshoi vendimin e Themelores duke e kthyer në arrest shtëpiak.
Në lidhje me këtë rast në fazën e hetimeve janë mbajtur afër 20 seanca gjyqësore, janë dëgjuar dy dëshmitarë të mbrojtur, ndërsa si rrjedhojë e ndryshimit të trupit gjykues, ky rast rrezikon të rikthehet që në fillim dhe rrjedhimisht dëshmitarët duhet të dëgjohen përsëri.
Në rastin e njohur si “Toka”, Azem Syla dhe të tjerët akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.
Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.
Prokuroria Speciale më 25 tetor 2016 ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.
Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.
Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.
Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.
