Aktuale
Nënshkruhen udhëzimet administrative për sistemin e unifikuar të adresave
Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka nënshkruar pesë udhëzime administrative nga fusha e sistemit të unifikuar të adresave, të cilat do të ngrenë kualitetin e adresave dhe rrjedhimisht edhe kualitetin e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
Për hartimin e këtyre udhëzimeve dhe udhëzimeve tjera, ministri në detyrë Matoshi ka falënderuar, kryeshefin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti.
Udhëzimet administrative të adresave rregullojnë Sistemin e Adresave në dy nivele, nivelin qendror (AKK) dhe atë lokal (Drejtoritë e urbanizmit), ndërsa konkretisht ndryshimet e fundit avancojnë çështjen e riemërtimit të Zonave të Qarkullimit Publik (ZQP) me qëllim të tejkalimit të sfidave që kanë ardhur nga ndryshimet e shpeshta të rrugëve të adresave e ngjashëm. Për arsye të qëndrueshmërisë së sistemit, tani më është ndaluar riemërtimi i ZQP-ve për një periudhë kohore prej 10 vjet, përpos në disa raste të veçanta.
Gjithashtu me këto udhëzime obligohen institucionet që të shfrytëzojnë adresat zyrtare, rregullohen çështjet e barazisë gjinore me rastin e emërtimit të ZQP, çështja e formatit unik të tabelave të emrave të ZQP-ve dhe numrave të adresave, kufizimi i karaktereve të emrave të ZQP-ve si dhe kriteret për formimin e rrugëve të reja, kriteret e numërtimit të objekteve duke përfshirë edhe adresimin e brendshëm të njësive banesore, procedurat e mirëmbajtjes të Regjistrit të Adresave duke obliguar komunat që të bëjnë përditësimin e të dhënave të adresave së paku një herë në vit përpos përditësimit të vazhdueshëm të të dhënave me rastin e lëshimit të lejes ndërtimore.