Featured
Në vitin 2018 nis ndërtimi i autostradës Nish-Prishtinë-Durrës

Në vitin 2018 do të fillojë së ndërtuari rruga Nish-Prishtinë-Durrës. Autostrada e Paqes, emër ky i pagëzuar nga serbët, në vend të Rrugës së Kombit, do të fillojë ndërtimin e seksionit të parë Nish-Ploçnik, 36 kilometra i gjatë.
Ky fakt është bërë i ditur nga zëvendëskryeministrja serbe, njëkohësisht edhe ministre e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Zorana Mihajloviq, shkruan sot Koha Ditore.
“Seksioni Nish-Ploçnik është 36 kilometra i gjatë, ndërkohë që i gjithë projekti kushton 212 milionë euro. Ky seksion do të ndërtohet me ndihmën edhe të Bankës Evropiane të Investimeve (BEI ) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)”, deklaroi Zorana Mihajloviq.
Sipas ministres serbe të Transportit, të dhënat financiare janë ende paraprake. Mihajloviq ka thënë se projekti i dokumentacionit ishte financuar nga Fondi i Ballkanit Perëndimor.
