Aktuale
Në shkollën “Emin Duraku” nuk do të investohet as deri në vitin 2021

Rreth 14 milionë euro është, në total, buxheti për Komunën e Malishevës. Por, për fshatin Dragobil, njërin prej fshatrave me më së shumti banorë në këtë komunë, nuk është paraparë asnjë investim për vitet 2019-202.
Disa banorë të fshatit, të cilët nuk kanë dashur të flasin para kamerës, kanë thënë se ky fshat ka nevojë për investime, sepse disa nga punët e nisura nuk janë përfunduar.
Problem kryesor në fshat po mbeten kushtet e këqija të shkollës së fshatit.
Shkolla “Emin Duraku” është ndërtuar në vitin 2000 dhe, që atëherë, nuk është investuar asgjë nga komuna e Malishevës, madje kjo e fundit ka vendosur që edhe në vitin 2019 të mos kontribuojë asgjë në përmirësimin e kushteve të kësaj shkolle.
Arianit Pacarizi, ushtrues detyre i drejtorit në këtë shkollë, thotë se komuna ka ndihmuar vetëm në disa gjëra të vogla, por që shumicën e investimeve i kanë bërë vetë nxënësit.
Në Komunën e Malishevës arsyetohen me faktin se ky fshat, mandatin e kaluar, ka marrë mjaft investime dhe premtojnë që, nëse rishikohet buxheti, atëherë do të ndahen fonde edhe për ndërtimin e shkollës së fshatit Dragobil.
Asnjë asamblist i Kuvendit Komunal të Malishevës, në këtë mandat, nuk është nga ky fshat.
KTV-ja ka kontaktuar edhe me Arianit Morinën, Kryesues i Kuvendit Komunal të Malishevës, por ai nuk i është përgjigjur interesimit të televizionit.
Nga totali i buxhetit të kësaj komune, rreth 4 milionë euro janë paraparë të jenë në investime kapitale.
