Aktuale
Në Samitin e Londrës, Haradinaj tregon mundësitë për investime të huaja në Kosovë

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova është vend i përshtatshëm për investimet e huaja.
Këtë e ka bërë në sesionin e parë të samitit BE-Ballkani Perëndimor, që po mbahet në Londër. Sesioni i parë i këtij samiti, ka për diskutim temën e ekonomisë.
“Kosova tashmë e ka Ligjin për Investime Strategjike, që krijon lehtësira dhe kushte të mira për investitorët e huaj. Në këtë frymë, në këto 6 muajt e fundit Kosova ka themeluar 3 zona të veçanta ekonomike, që përfshijnë një territor prej 150 hektarësh të gatshme për të pritur investitorët e huaj”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka përmendur edhe planet për mbylljen e “Kosovës A” dhe rehabilitimin e “Kosovës B”, përfundimin e të gjitha projekteve rrugore që lidhin qytetet kryesore dhe planet për investimin e mbi 200 milionë eurove bashkëfinancim me BE-në për projektet në infrastrukturën hekurudhore.
Haradinaj ka përmendur edhe investimet prej 100 milionë eurove për projektet që trajtojnë ujërat e zeza, projektet për qytetet e gjelbra, rrugët rurale dhe projektet në infrastrukturën ujore e lansimin e agjendës së digjitalizimit.
“Të gjitha projektet, që lidhin Kosovën me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë, janë dëshmi e përkushtimit tonë për fqinjësi të mirë, për bashkëpunim regjional dhe e gjithë puna që po bëhet në Kosovë, është e bazuar mbi vlerat euro-atlantike dhe që është rruga që Kosova po e ndjek”, ka thënë më tej ai.
Në sesionin e parë ka raportuar edhe Komisioneri i BE-së për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn për takimin e Ministrave të Ekonomisë në Vjenë dhe për të cilin takim, Haradinaj tha se Kosova do të qëndrojë prapa dakordimeve për bashkëpunim ekonomik regjional.
Në Samit po marrin pjesë kryeministrja e Britanisë së Madhe Theresa May, kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, kancelari i Austrisë Sebastian Kurz, kryeministra të shteteve tjera evropiane, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini.
Të gjithë pjesëmarrësit në këtë Samit theksuan perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe rrugën e tyre të integrimit në Bashkimin Evropian, sipas njoftimit të qeverisë.
Haradinaj në ditën e parë të Samitit ka paraqitur projektet e Kosovës, të arriturat dhe sfidat me të cilat është duke u përballur vendi që nga nisja e procesit të Berlinit, “duke theksuar përkushtimin e Kosovës për fqinjësi të mirë, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, dhe rrugën evropiane si e vetmja alternativë”.
“Kosova që nga përfshirja e saj në procesin e Berlinit ka qenë e angazhuar në forcimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, rrugën eurointegruese dhe bashkëpunimin ekonomik me të gjitha vendet e përfshira në këtë proces”, tha ai.
