Featured
Në Qendrën Historike të Prizrenit nuk respektohen lejet ndërtimore
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/26060391_1582948851819377_3611411504253228108_o.jpg)
Ndërtesa përballë Xhamisë së Sinan Pashës në Qendrën Historike të Prizrenit është duke iu nënshtruar renovimit të kulmit, mirëpo po konsiderohet aktiviteti ndërtimor në këtë ndërtesë po bëhen në kundërshtim me lejen e ndërtimit.
Për këtë ka reaguar organizata Ec Ma Ndryshe, shkruan Ndërtimi.info.
“Përkundër reagimit të shoqërisë civile dhe autoriteteve të trashëgimisë kulturore për mos respektimin e pëlqimit të lëshuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren për ndërtesën përballë Xhamisë së Sinan Pashës, aktivitetet ndërtimore në këtë ndërtesë sipas informatave të marra nga QRTK-ja po vazhdojnë në kundërshtim me lejen ndërtimore të lëshuar nga organet komunale”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.
EC ka thënë se gjatë aktivitetit ndërtimor po cënohet struktura ekzistuese e ndërtesës.
“Autoritetet lokale të trashëgimisë kulturore kanë dhënë pëlqim për renovimin e kulmit dhe ndërtesës në përgjithësi, me kusht që të mos cenohet struktura ekzistuese e ndërtesës. Mirëpo në bazë të vëzhgimit të QRTK-së del se në vend të renovimit të kulmit të ndërtesës ka përpjekje për ta lënë katin e sipërm të hapur, duke e eliminuar pjesën qendrore të kulmit, si një ndër elementet karakteristike të kësaj ndërtese”, thuhet më tutje në këtë reagim.
Kjo organizatë konsideron se është koha e fundit që institucionet që kanë përgjegjësi për Qendrën Historike të veprojnë më konkretisht për zbatimin e plotë të legjislacionit për këtë zonë të mbrojtur.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)