Aktuale
Në pluhur e harresë prej vitesh, miratohet projekti për restaurimin e shtëpisë së At Gjergj Fishtës
Në kuadër të 148-vjetorit të lindjes së poetit ‘At Gjergj Fishta, qyteti I Lezhës ka zhvilluar një aktivitet përkujtimor, në të cilin morën pjesë autoritete të shumta vendore e qendrore, studiues, historianë, shkrimtarë dhe qytetarë të Lezhës. Banesa e rrënuar lënë në harresë prej vitesh, ishte në fokus të ceremonisë.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti në fjalën e saj tha se përveç ndërtimit të shtëpisë ku u lindi dhe u rrit Fishta, do të ndërtohet edhe një memorial në nder të poetit të veprave të lavdishme.
“Të flasësh për Fishtën duhet të njohësh jetën e tij dhe të njohësh jetën e tij duhet të prekësh në vendet që ai ka shkelur. Pra le ta nisim këtë iternerar, këtë rrugëtim me stacionin e jetës së tij në ish-banesën ku ka lindur më 23 tetor të vitit 1871 në fshatin Fishtë të Zadrimës në Lezhë. Atje më tepër se një shtëpi muze ka nevojë të kemi një memorial.
Kemi nevojë që të lidhemi jo vetëm fizikisht, por shpirtërisht. Ku të kujtojmë Gjergj Fishtën dhe jo vetëm faktin se aty ndodhet një shtëpi”, u shpreh Margariti.
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu tha se kemi arsye të krenohemi me figurën e Fishtës, por kemi edhe detyrim për ta nderuar dhe respektuar atë. Prandaj Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Kulturës është e gatshme të financojnë ndërtimin e shtëpisë së Fishtës dhe shumë shpejt ai do të ketë shtëpinë e vet.
“Ne kemi arsye të krenohemi, por kemi edhe detyrim. Që të bëjmë çfarë është e mundur që kjo figurë aq komplekse të respektohet e të nderohet duke u bërë çfarë është e mundur që të kompensojmë ato që deri sot nuk i kanë bërë. Kryeministri Edi Rama, Ministria e Kulturës janë të gatshëm të ndërtojnë shtëpinë e Fishtës. Jemi në hapat e fundit të një marrëveshje apo të zgjidhjes së këtij problem. Shumë shpejt Fishta do të ketë shtëpinë e tij”, u shpreh Ndreu.
Në këtë aktivitet kushtuar 148 vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës nuk munguan poezitë dhe këngët në nder të poetit të veprave të lavdishme.