Aktuale
Në Parkun Kombëtar vazhdon ndërtimi ilegal i shtëpive, vilave e objekteve hoteliere
Që nga ditët e para të pasluftës treva e Rugovës është shndërruar në oazë të ndërtimeve të egra. Ndërtimet e shtëpive, vilave, bujtinave e objekteve hoteliere vazhdojnë në 14 fshatrat e kësaj zone, pa leje e pa kushte ndërtimi, shkruan sot Koha Ditore.
Në Drejtorinë e Urbanizmit dhe të Mbrojtjes së Mjedisit në Pejë kanë thënë se ndërtimet në trevën e Rugovës, pjesë e parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, nuk i trajton ligji aktual i legalizimit.
“Të gjitha ndërtimet në Rugovë janë pa leje. Pronarët e objekteve të ndërtuara në atë trevë nuk mund të aplikojnë për legalizimin e ndërtimeve pa leje, sepse nuk ka ende plan hapësinor nga niveli qendror për parkun kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’, brenda së cilës zonë është treva e Rugovës. Plani hapësinor përcakton llojet e ndërtimit dhe zonat ku mund të ndërtohet. Nuk mund të veprojmë asgjë, sepse çfarëdo që bëjmë është jashtëligjore”, ka deklaruar drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Rajan Arapi.
Derisa të miratohet Plani Hapësinor në Rugovë do të vazhdohet me ndërtime pa leje, dhe, siç thotë Arapi, për të trajtuar gjitha ato ndërtime duhet nxjerrë një ligj i veçantë.
“Ato ndërtime mbesin në listë të pritjes dhe në momentin që Qeveria nxjerr ndonjë dokument, atëherë ndërtimet trajtohen me atë dokument, përndryshe, mbesin në listë të pritjes. Ndërkohë mbetet të shikohet se a do të ketë ndoshta edhe ndryshime Ligji i parkut dhe fshatrat e Rugovës të dalin jashtë zonës së parkut dhe i bashkohen komunës apo mbesin brenda zonës së parkut. Pra, varësisht se si vendoset edhe do të trajtohen ndërtimet pa leje dhe legalizim i tyre”, thotë Arapi.
Ligji i parkut cakton zonat e ndërtimit, Plani hapësinor – vijat e ndërtimit
Plani hapësinor është dokument i domosdoshëm për zhvillimin e qëndrueshëm jo vetëm të parkut kombëtar, por edhe të vetë trevës së Rugovë, për të cilën trevë aktualisht nuk ka asnjë plan të miratuar hapësinor, rregullativ e as menaxhues.