Aktuale
Në Lakrishte, banorët mbesin pa ashensor pasi u shkëputet rryma
Banorë të lagjes Lakrishte në Prishtinë, për më shumë se një javë po përballen me probleme në hyrjen e tyre.
Përpos lënies në harresë sipas tyre, nga kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e banesave, së fundmi ata po përballen edhe me ndalje të ashensorit, raporton KTV.
E ndonëse gjatë ditës ashensori ishte funksional, Shpëtim Binxhija 43 vjeç thotë se shkyçja e shpeshtë e rrymës ia pamundëson atij daljen nga banesa, derisa ka pasur raste kur ai ka mbetur i mbyllur me ditë të tëra.
Sipas tij, për shfrytëzimin e shërbimit me ashensor dhe për mirëmbajtjen e ndërtesës ku ata jetojnë, banorët duhet të paguajnë një shumë prej 6 eurosh.
E që sipas tij, të shumtë janë ata që nuk e kryejnë një pagesë të tillë.
Ai thotë se në hyrjen ku banon ka shumë persona që e kanë të nevojshëm shfrytëzimin e ashensorit, derisa shton se gjendja në këtë objekt, është e mjerueshme.
Edhe Aziz Sefedini, banor i këtij objekti, thotë se institucionet përgjegjëse do të duhej të bënin zëvendësimin e ashensorëve, me të rinj dhe funksionalë.
Ndonëse para pak kohësh, 150 hyrje banesash kolektive në Prishtinë u rregulluan nga Ndërmarrja Publike Banesore, të njëjtin fat nuk e patën banorët e kësaj lagjeje.
Sipas përfaqësuesve të lagjes, banorët e këtyre hyrjeve kolektive duhet t’i nënshtrohen një projekti që përfshin pagesë të obligueshme për të gjithë banorët.
Për këto problematika, televizioni ka dërguar pyetje në adresën e NPB-së, por këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje.