Featured
Në Kovaçec po çahet toka në oborre, shkak po shihet puna në autoudhën “Arbën Xhaferi”
Uran Haxha
Jo domosdoshmërisht ndërtimi i një gjëje të re, dëmton tjerat përrreth. Në Kovaçec të Kaçanikut banorët janë në hall me punimet që po bëhen për ndërtimin e autostradës.
Përveç dëmtimit të rrugëve lokale të fshatit, atyre ka filluar t’u rrëshqas toka që po çahet.
Çarjet e dheut kanë krijuar hapësira në oborret e banorëve. Thellësia e tyre shkon deri në 2.40 metra. Për të ngritur sigurinë, Sadat Burrniku ka vendosur vullnetarisht disa shiritë sigurie që mos të kalojnë fëmijët, raporton Ndertimi.info.
Gjithçka sipas tyre ka ardhur pas hapjes së një grope e cila është hapur gjatë punimeve në autostradë. Thellësinë e tokës, por edhe lëvizjet i përcjellë çdo ditë Sadat Burrniku, i cili thotë se me hall e bëjnë edhe gjumin.
“Çarjet i përcjelli në pika të caktuara çdo ditë dhe ato shkojnë e rritën nga 4-5 centimetra”, thotë ai.
Burrniku me dëshprim tregon se edhe shtëpia të cilën ka filluar ta ndërtojë i ka shkuar huq, pasi çarja e dheut është në mes të shtëpisë. Ajo vërehet edhe në mure dhe pllakën e shtrembëruar.
Ndërtimi.info është munduar që të bie në kontakt me kompaninë Bechtel-Enka, por kontakti ka qenë i pamundur.
Probleme banorët e asaj ane kanë edhe me mjetet e rënda që kalojnë nëpër rrugët e fshatit. Disa prej tyre edhe janë dëmtuar. Arben Ahmetaj, i cili kalon çdo ditë në këto rrugë, tregon se si janë dëmtuar.
“Janë dëmtuar rrugët. Në këto rrugë kalojnë edhe fëmijët dhe nuk kanë pasur siguri”, thotë ai. Rregullimi i rrugëve është bërë vetëm nga protestat të cilat janë zhvilluar në rrugë.
Kohë më parë, zëdhënësja e Betchel-Enkas ka thënë për Ndërtimi.info se kërkojnë falje për pengesën që u bëjnë banorëve, por që do të rregullojnë ato që do dëmtojnë.
“Në rastet e dëmtimeve të rrugëve ne i kemi riparuar ato. Standardi do të vazhdojë të jetë i njëjtë. Ju lutem na mirëkuptoni”, pati thënë Ela Ruci nga Betchel-Enka.
Megjithë këto, banorët thonë se protesta del të jetë forma e vetme me të cilën ata shohin përsëri të ngrisin zërin.