Aktuale
Në Kosovë 11 punëtorë të ndërtimtarisë kanë vdekur në vendin e punës, vetëm për 7 muaj
Sektori privat në vend kritikohet vazhdimisht për shkeljen e të drejtave të punëtorëve, në të gjitha lëmit. Shkelja e të drejtave të punëtorëve në nivel të lartë është edhe ndërtimtari.
Kushtet e rënda të punës në ndërtimtari në disa raste kanë shkaktuar edhe vdekjen e punëtorëve. Vetëm për shtatë muaj të këtij viti, kanë humbur jetën 11 punëtorë të ndërtimtarisë në Kosovë.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, në një intervistë për Ndërtimi.info.
Ai, ka treguar se përveç vdekjeve, brenda kësaj periudhe kohore janë qindra raste të lëndimeve të punëtorëve gjatë kryerjes së punës.
“Gjendja është shumë e rëndë në gjithë sektorin, sepse në sektorin e ndërtimtarisë, faktikisht punëtorët, nëse nuk janë marrë masat e duhura, shpeshherë edhe kushtojnë me jetë, për çka ne jemi dëshmitarë të kohës. Vetëm brenda shtatë muajve të parë të këtij viti më se 11 raste i kemi, të cilët kanë pësuar me fatalitet dhe kemi mbi 450 raste që ne jemi të informuar se kanë pësuar lëndime gjatë punës së tyre, të cilët e bëjnë punën në sektorin e ndërtimtarisë”, ka thënë ai.
Azemi, ka kritikuar institucionet për mosndërmarrjen e masave të duhur në përmirësimin e kushteve të punës në ndërtimtari dhe parandalimin e vdekjeve.
“Realisht më e rënda është ajo se shoqëria jonë, gjegjësisht institucionet kompetente absolutisht nuk e kanë bërë punën as më të vogël që së paku këta punëtorë të kenë një siguri në punën e tyre. Ne e dimë që është shumë normale që komplet nuk mund t’i ndalim rastet e mbytjes së punëtorëve në këtë sektor, por shifrën që e kemi për këtë vit është rekorde për këtë periudhë tetë muajsh të rasteve me fatalitet”, ka shtuar ai.
Ai, ka bërë apel që institucionet kompetente të ndërmarrin masa konkrete për respektimin e Ligjit të Punës dhe përmirësimin e kushteve të punës.