Aktuale
Në komunën e Ferizajt u dhanë 58 leje ndërtimore gjatë vitit 2019
58 leje ndërtimore janë dhënë gjatë vitit 2019 në komunën e Ferizajt. Prej këtyre, 26 leje i takojnë katëgorisë së parë, ku hyjnë shtëpitë për banim, ndërsa 32 i takojnë kategorisë së dytë, një pjesë e të cilave hyjnë objektet për biznese të ndryshme dhe atyre të institucioneve.
“Gjatë vitit 2019 janë lëshuar gjithsej 26 leje ndërtimore të kategorisë së parë, dmth shtëpi banimi, ndërsa të kategorisë së dytë janë lëshuar 32 leje ndërtimore, ku prej këtyre lejeve janë pompë benzine, shkolla, objekte afariste P+1, P+2 që kalojnë mbi 450 metra katrorë, që do të thotë nuk janë të gjitha objekte kolektive banimi afariste (ndërtesa shumëkatëshe), por një pjesë etyre janë për biznese të ndryshmë”, tha Zylfi Mani, përgjegjës për legalizim në Komunën e Ferizajt.
Por, për këtë komunë mbeten ende sfidë numri i madh i objekteve pa leje që kap shifrën e 30 mijë të tilla. E ligji i ri për legalizmin është shfrytëzuar vetëm për 35 këkresa, prej të cilave 8 janë të kategorisë së dytë, ndërsa 27 i takojnë kategorisë së parë.
Por Zylfi Mani, ka njoftuar se Komuna është duke bërë fushatë në mënyrë që të nxiten qytetarët e saj për të legalizuar ndërtimet pa leje, në Ferizaj.
“Në komunen e Ferizajt janë diku mbi 30,000 objekte pa leje, ku ne si drejtori jemi duke bërë një lloj “fushate” rreth procesit të legalizimit për me i nxitë qytetarët e komunës sonë që të aplikojnë”, ka njoftuar ai.
Mani tha se interesimi ndër qytetar për procesin e legalizimit është mjaft i madh, kryesisht për kërkesat e vjetra, prej të cilave janë 279 të tilla.
Nga Komuna e Ferizajt thanë po ashtu se gjatë vitit 2019 nuk është rrënuar asnjë objekt pa leje, sepse është duke u punuar me Ligjin për Legalizm që është në fuqi, për legalizmin e objekteve të ndërtuara pa leje.
“Komuna e Ferizajt gjatë vitit 2019 nuk ka bërë asnjë rrënim të objekteve pa leje, ku jemi duke punuar me Ligjin e Legalizimit me nr. 06/L-024, i cili është në fuqi dhe palët kanë të drejtë të aplikojnë rreth objekteve të tyre për legalizim”
Ndryshe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) është thënë se në gjithë Kosovën janë 352 mijë objekte pa leje.
Numrit të madh të ndërtimeve pa leje në Kosovë u tentua t’i jepet zgjidhje në vitin 2013, me ligjin për ndërtime pa leje, ligj ky që i trajtonte të gjithë ato objeket të cilat u ndërtuan deri në vitin 2013. Ligji i vjetër dështoi të kryente funksionin për të cilin u nis, për shkak të procedurave të koklavitura që nevojiteshin për legalizim, e çmimit të lartë që kërkohej. Kështu që në vitin 2017 ky ligj u shfuqizua.
Pas kësaj vitin e kaluar qeveria në largim kishte nxjerrë një ligj të ri, por këtë herë duke i thjeshtëzuar procedurat për legalizim dhe duke i zvogëluar çmimet për metër katëror.
Sipas ligjit të ri çmimi i legalizmit për objektet e kategorisë së parë, ku hyjnë shtëpitë është 1 euro për metër katror, Ndërsa për kategorinë e dytë në të cilën hyjnë ndërtimet shumëkatëshe 2 euro për metër katëror. Diçka që sipas ekspertëve u cilësua si një çmim i ulët dhe mjaft i arsyeshëm.
Qeveria pati vonesa për 6 muaj në xjerrjen e akteve nënligjore të ligjit të ri, i cili është funksional për dy vjet, me mundësi vazhdimi edhe për dy të tjera.