Aktuale
Në kohë fushate, në Gjilan intervenohet pa leje në infrastrukturën komunale
Fushata elektorale në Gjilan po tregon se subjektet politike mund të ndërhyjnë në infrastrukturën komunale duke mos marrë asnjë leje nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, raporton “Koha Ditore”.
Kështu, kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit, Bajram Hasani nga radhët e Nismës për Kosovën dhe Mustafë Rexhepi, i cili është kandidat për këshilltar komunal nga po kjo parti, kanë dalë në terren për të parë punimet që kanë të bëjnë me pastrimin dhe zgjerimin e shtratit të lumit Stanishorka.
Gazeta ka kontaktuar me Bajram Hasanin, i cili deklaron se për punimet në lumin Stanishorka nuk janë konsultuar me autoritetet komunale ngase, sipas tij, “kjo është duke u bërë në të mirën e qytetarëve”.
“Iniciativa ka qenë e kandidatit për Kuvendin Komunal, Mustafë Rexhepi për të pastruar dhe dolëm e bëmë një vizitë në lumin Stanishorka sepse e kanë pastruar dhe po e zgjerojnë për shkak se po del nga shtrati sa herë ka të reshura. Nuk ka pasur leje sepse kjo ka qenë veç pastrim dhe zgjerim. Ne çdo herë do të jemi në ndihmë të qytetarëve e komuna le të na gjobit. Ne nuk kemi mundësi sepse po të kishim mundësi të gjithë lumenjtë e Kosovës do t’i pastronim dhe jo vetëm në Gjilan”, ka thënë Hasani për “Koha Ditore”.
Mirëpo, Naser Korça, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit, deklaron se ndërhyrjet në infrastrukturë pa lejen e Komunës do të ndëshkohen sipas rregulloreve të cilat janë të miratuara edhe në Kuvendin Komunal.
Ai thotë se askush nuk guxon të ndërhyjë në infrastrukturën publike pa pasur një miratim të autoriteteve komunale.
“Nuk kanë pasur leje që të intervenojnë në infrastrukturën publike dhe ne do të dalim nesër dhe do të shohim se për çfarë kanë intervenuar në pronën publike, përndryshe do të gjobiten. Unë e kuptoj se tash është fushata elektorale mirëpo askush nuk ka drejtë të ndërhyjë në pronën publike”, ka thënë Korça.