Aktuale
Në këtë qytet do të ngrihet shtatorja e heroit Azem Hajdari
Edhe Tropoja do të ketë monumentin e “Heroit të Demokracisë”, dëshmorit Azem Hajdari. Bashkia e Bajram Currit njofton se më 27 tetor, ora 11.00 në sheshin e qytetit që mban emrin e tij, do të përurohet shtatorja e Azem Hajdarit.
Në këtë ceremoni do të marrin pjesë edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, studentë të Dhjetorit ’90, si dhe miq, dashamirë e simpatizantë dhe të gjithë ata që e kanë njohur, dhe të gjithë ata që kanë dëshirë të marrin pjesë për të nderuar emrin, kujtimin e veprimtarinë e Heroit të Demokracisë e Lirisë, Azem Hajdarit.
Nderojnë me pjesmarrjen e tyre ish-Presidenti e ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ish-Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, përfaqësues nga Qeveria e Kosovës dhe nga institucione të ndryshme të rëndësishme në Maqedoni, Malin e Zi, Lugina e Preshevës, Diaspora që nga Trupi Diplomatik i Huaj i akredituar në Shqipëri etj,
Realizimi i shtatores së Azem Hajdarit është kryer nga skulptori Isa Baliaj. Vendosja e skulpturës do të bëhet në sheshin me të njëjtin emër “Azem Hajdari”, i cili përbën një nga zonat me të frekuentuara në qytet. Skulptura është menduar që të vendoset në aksin e këtij sheshi me fytyrë nga Mali i Shkëlzenit. Shtatorja ka një lartësi rreth 5m, pa llogaritur bazamentin. Kjo shtatore është një nderim për rolin e tij në shërbim të demokracisë shqiptare dhe për krejt çfarë Azemi përfaqëson. Ceremonia dhe shtatorja e tribunit, “Heroit të Demokracisë” Azem Hajdari janë nën kujdesin e veçantë të kryetarit të PD, Lulzim Basha.