Featured
Në këtë kohë pritet përfundimi i urës në Veternik
Në hyrje të Prishtinës, në Veternik po punohet në një projekt infrastrukturor. Që nga muaji korrik këtu është duke u punuar në ndërtimin e nyjës, e cila përfshinë edhe një urë dhe zgjerimin e rrugës në katër korsi. Kjo ka bërë që të ketë ndryshim në rrjedhën e komunikacionit.
Projekti 2.5 milionësh pritet që në tërësi të përfundojë në maj të vitit 2020, raporton Ndërtimi.info.
Ziadin Mehmeti nga konsorciumi “Eskavatori dhe Besi Commpany” që po i zhvillon punimet, ka thënë se po punohet sipas planit. Sipas tyre pjesët e nyjës do të lëshohen njëra pas tjetrës, ndërsa ura pritet të përfundojë në fund të këtij viti.
“Meqenëse është nyje shumë e ndërlikuar, këtu punët kanë shkuar kryesisht mirë. Aksi N2, që është prej Prishtinës në drejtim të Ferizajt, ka mundësi që të lëshohet më herët. Mandej, do të bllokohet një pjesë e ktyre lidhjeve, për të vazhduar punimet në ato pjesë. Pra, rruga shkon pjesërisht duke u liruar. Ura lëshohet pak më herët, dikur para vitit të ri, pllakat betonohen kah fillimi i dhjetorit, ndërsa në tërësi lëshohet para vitit të ri”, ka thënë ai.
Në zonën e punimeve janë disa shtylle elektrike, të cilat është dashtë të largohet, por kjo ende nuk ka ndodhur.
Ndërsa, në ministrinë e Infrastrukturës kanë thënë se punimet janë duke u zhvilluar sipas planit dinamik, pa ndonjë problem.
“ Nuk ka ndonjë problem të theksuar. Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit në vazhdimësi është në kontakt dhe në bashkëpunim me KEDS-in për largimin e shtyllave, me qëllim të zhvillimit të projekteve ashtu siç janë të parapara”, ka deklaruar zyrtarja për informim në MIT, Fillojetë Konjuhi.
Kjo nyje do të lidh rrugët nacionale N2 dhe N 25.2, kyçjen nga autostrada “Ibrahim Rugova” dhe atë për Gjilan./Ndërtimi.info/