Aktuale
Në fund të javës dihen rezultatet e gjendjes nga rrëshqitjet e dheut në Kaçanik

Kanë filluar punimet në segmentin në të cilin ndodhë rrëshqitjet e dheut në rajonin e Kaçanikut që lidhet direkt me Shkupin.
Zv/ministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu ka bërë të ditur se dje kanë filluar punimet dhe se pikërisht dje janë bërë shpimet gjeomekanike për të kuptuar saktë nivelin e rrëshqitjes.
Deri në fund të kësaj jave do të ketë rezultate profesionale e përfundimtare për gjendjen e rrëshqitjes së dheut.
“Kemi filluar me punë në segmentin në të cilin kanë ndodh rreshqitjet e dheut, dhe pikërisht sot janë bërë shpimet gjeomekanike për me kuptua saktë nivelin e rrëshqitjes i cili përshkon siperfaqen prej 150 m gjatësi. Dua të besoj se deri në në fund të kësaj jave do të kemi rezultate profesionale dhe përfundimtare. Pas kësaj, do të dalim me propozim për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe sanimin e gjendjes së krijuar”, ka shkruar Kadriu në profilin e tij Facebook.
Sipas tij shpimet janë bërë deri në 20 metra, por që është paraparë të vazhdohet deri në 30 metra pasi ka akoma shtresë të qëndrueshme.
“Shpimet janë bërë deri në 20 metra, mirëpo vlerësimi ynë është që të vazhdohet deri në 30 metra për shkak se nuk kemi akoma shtresë të qëndrueshme”, tregon tutje ai.
Rikujtojmë se si pasojë e rrezikut nga rrëshqitja e dheut dhe gurëve për më shumë se një muaj do të mbetet e bllokuar rruga regjionale Kaçanik-Hani i Elezit.
Rruga është bllokuar këtë të martën.
Ndërsa, zyrtarët e Ministrisë së Infrastrkuturës, të martën kanë treguar edhe për rrugët alternative të cilat mund t’i ndjekin vozitësit. Qemajl Jonuzi, menaxher i projekteve në Ministrinë e Infrastrukturës, ka deklaruar se qytetarët nga Kaçaniku për në qytezën e Hanit të Elezit, mund të lëvizin vetëm me vetura të vogla nëpërmjet rrugëve alternative nga fusha e pajtimit në drejtim të Glloboqicës, ndërkaq automjetet transportuese mund të kalojnë në Hanin e Elezit vetëm nëpërmjet rrugës për Tetovë.
Por edhe kjo rrugë alternative është e dëmtuar.
Kjo ishte bërë e ditur nga kryetari i Hanit të Elezit Rufki Suma, i cili po ditën e martë ishte taku me zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës për të koordinuar aktivitetet që si alternativë ishte paraprë të shfrytëzohet aksi rrugor Glloboçicë-Gorancë-Hani i Elezit.
Kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma vendimin e ministrisë që kjo rrugë të mbyllet për qarkullim për sigurinë e qytetarëve tha se është i drejtë, mirëpo alternativa e propozuar përkatësisht aksi rrugor Glloboçicë – Gorancë – Hani i Elezit në shumë segmente të saja është e dëmtuar shumë seriozisht si pasojë e mospërfundimit të projektit që nga viti 2011.
“Ky aks rrugorë në këtë gjendje nuk ka kapacitete që të përballojë një ngarkesë komunikacioni dhe se urgjent duhet të ndërmerren masa që mos të ndodhë ndonjë fatkeqësi”, ka theksuar Suma.
Kurse, gjatë ditës së djeshme i pari i Ministrisë së Infrastrukturës ka njoftuar se pas ndalimit të qarkullimit në segmentin N.2 në rrugën Kaçanik-Hani i Elezit, është marrë vendim që të zhvendoset përkohësisht dogana në pikën kufitare “Glloboçicë”.
Lekaj ka thënë se kjo do të bëhet për të evituar kolonat dhe pritjet e gjata për transportuesit e mallrave dhe qytetarëve.
