Aktuale
Ministrisë së Mjedisit tani i kujtohet që Shpella e Gadimes ka nevojë për ndriçim e tualet
Ka dekada që kur është zbuluar Shella e Gadimes, e vetmja shpellë e mermertë e zbuluar në Evropë. Për turistët janë të mundshme të shikohen vetëm 1300 metra të kësaj shpelle, sepse për pjesën tjetër të saj nuk janë ende të mundshme kalimet.
Por me gjithë rëndësinë e saj, ajo është lënë pas dore e duke pasur defekte të shumta në funksionimin e shpellës. Shpellës së Gadimës i mungon edhe ndriçimi e WC-të. Por, tani pas shumë vjetësh, MMPH-ja që menaxhon me këtë shpellë është kujtuar që t’i zgjidh këto dy probleme. Madje, kjo po bëhet në kohën kur qeveria është në shkuarje.
Për këtë ministri i kësaj ministrie , Fatmir Matoshi tha se është e turpshme, që nuk ka pasur investime në Shpellë të Gadimes edhe 20 vite pas luftës.
“Ka pasur mungesë të investimeve të mirëmbajtjes të shpellës dhe në infrastrukturën përreth saj. Është për keqardhje dhe e turpshme që 20 vjet pas luftës nuk ka WC për vizitorë dhe ne kemi bë hapat konkretë për këtë dhe javën e ardhshme fillon ndërtimi i WC–ve në brendi të hapësirës së Shpellës së Gadimës për t’u krijuar kushte vizitorëve që të jenë më të rehatshëm”, tha ai.
Ai tha se gjatë këtij viti, tualetet dhe ndriçimi do të rregullohen.
“Në një pjesë të shpellës kemi problemin e ndriçimit të cilin e kemi adresuar dhe do ta zgjidhim përgjatë këtij viti zgjerimin e rrjetit të ndriçimit brenda shpellës dhe kemi disa segmente të shpellës, kemi dalje ë ujërave që e bëjnë të pamundshme vizitat në disa sektorë të shpellës. Po ashtu edhe për këtë po gjejmë zgjidhje”.
“Sa i përket ndriçimit ka të ndarë një pjesë të fondeve, ne tash duhet me e përzgjedh një kompani që të mos ketë ndikim edhe për temperaturën në shpellë ndërsa sigurisht përmes një sistemi të pompimit për të larguar ujërat që dalin kohë pas kohë në sektorë të shpellës dhe nuk lejojnë vizitat’, tha ai.
Ndërsa, shtoi se kjo shpellë është në fazën e fundit ë përmbushjes së numrit të stafit, nën menaxhimin e MMPH.
“Kjo është një shpellë që menaxhohet nga MMPH-ja, ka pasur defekte të shumta në të kaluarën edhe në mënyrë të funksionimit të saj. Tashmë jemi në fazën përfundimtare të kompletimit të shpellës me staf të mjaftueshëm që tu dalim në ndihmë vizitorëve që janë të shumtë që vijnë ta shohin një prej bukurive kryesore që ka vendi ynë”, përfundoi ai.