Aktuale
Ndërtuesit e arrestuar nuk përfillën urdhrat e inspektoratit

Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit në pasditen e djeshme në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Gjilan ka arrestuar dy të dyshuar për ndërtime të kundërligjshme, shkruan Ndërtimi.info
Bëhet fjalë për kryerjen e ndërtimit të objektit afarist-banesor në kundërshtim me lejen ndërtimore, ku kompania ShPK “Fluidi Construction” si dhe personi tjetër i kontraktuar nga kjo kompani kanë tejkaluar sipërfaqen e ndërtimit prej 806 metra katrorë, me ç’rast investitori ka uzurpuar një pjesë të hapësirës publike në sipërfaqe prej 232 metra katrorë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i kontaktuar nga Ndërtimi.info ka treguar se të arrestuarve më parë i ishte tërhequr vërejtja nga inspektorët e komunës, e ku i ishin vënë edhe shiritat duke ndërprerë edhe punimet. Megjithatë, drejtues të kësaj kompanie nuk i kishin përfill urdhrat duke vazhduar me ndërtim, e që më pas Prokuroria e Shtetit ka kërkuar që atyre t’iu ndalohet masa e ndalimit.
“Problemi është se është ndërtimi i lartë. Kjo punë e inspektorëve të komunës ka qenë se ua ka tërheq vërejtjen edhe i kanë vënë shiritat për me ndërpre punën. Sikur i kanë tejkaluar ato parametrat e planit, që më pastaj nuk i kanë përfill fare. Kështu që prokurori i shtetit ka ardh në përfundim se janë gjetur kushtet që të caktohet masa e ndalimit, pasi janë intervistu”, tha Hashani për Ndërtimi.info
Për këtë policia ka njoftuar edhe përmes një kumtese për medie.
“Me urdhër të prokurorit të shtetit nga ana e Policia së Kosovës, me datë 19 mars 2018, rreth orës 17:00, në Gjilan janë arrestuar dy të dyshuarit Shqiptar shtetas të Kosovës,(njëri drejtor i kompanisë ShPK ,,Fluidi Construction” dhe tjetri mbikëqyrës i kontraktuar nga kjo kompani). Të dyshuarit kanë ndërtuar objektin Afarist-Banesor në kundërshtim me lejen ndërtimore duke tejkaluar një sipërfaqe të ndërtimit prej 806m²,më ç’rast investitori ka uzurpuar një pjesë të hapësirës publike në sipërfaqe prej 232m². Të dyshuarit kanë injoruar aktvendimet nga inspektorët komunal të ndërtimit dhe nuk kanë përfillur urdhrat duke vazhduar me ndërtim. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit pasi janë intervistuar, ndalen në mbajtje për 48 orë. Rasti procedohet në PTH”, thuhet në njoftimin dërguar medieve.
