Aktuale
Ndërtimtarët kundërshtojnë vendimin për vendosjen e skeleve, kërkojnë kohë shtesë

Inspektorati i Punës pas ndërprerjes së punës në 47 vendpunishte ndërtimore është takuar me Shoqatën e Ndërtimtarëve dhe me disa pronarë të kompanive, të cilët po kundërshtojnë që të vazhdohet me këtë masë. Në këtë diskutim ndërtimtarët, janë shprehur se skelet mbrojtëse nuk janë e vetmja masë e sigurisë. Ani pse e pranojnë se gjendja e punëtorëve të ndërtimit nuk është e mirë.
Ndërkohë që thonë se nuk mund të furnizohen me skele mbrojtëse pasi që është vështirë të sigurohen.
E për këtë ndërtimtarët po kërkojnë 5 ose 6 muaj kohë.
Por kryeinspektori Basri Ibrahimi thotë se nuk do të ketë kompromise e as tolerancë, duke shtuar se ky aksion ka ardh pasi që nuk janë marrë masa nga vetë pronarët.
“Ne e kemi pas një fushatë dy javore para pak kohës dhe pasi kemi marrë informata nga terreni, kemi dalë, kemi shiku ndërtimet dhe kemi pa që siguria e punëtorëve është në nivel të ulët. Rrethojat kanë qenë, keni marrë masa veç sa me thënë që keni marrë masa për siguri. Sepse inspektori nuk e ka as kohën e as lluksin me hy në katër kat me pa se çka keni vendos. Kompanitë kanë marrë masa veçse sa me thonë që kanë marrë masa. Ato i ka rrëzu era. Skelet askund nuk zëvendësohen dhe kemi marrë hapin që të obligohen gjithë punëdhënësit që t’i vënë skelet rrethuese sepse është e vetmja mundësi për mbrojtjen e punëtorit dhe jetën e punëtorit”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi në takim tha se po mundohemi t’i mbrojmë punëtorët nga vetë pronarët e kompanive, të cilët për një palë çizme 20-30 euro dhe një helmete kanë rrezikuar jetën e punëtorëve.
“Kam përdor shprehjen ne po duam të ju mbrojmë prej juve vetë. Për një parë këpucë 20-30 euro dhe një helmet keni rreziku jetën e punëtorëve. ne po mundohemi me i mbrojë ata prej juve. Ju nuk i keni mbrojt punëtorët e juj. Ne kemi qenë të detyruar me ndërmarr këtë masë me qëllimin e vetëm me shpëtu jetën. Dhe nëse me këtë aksion vetëm një jetë e shpëtojnë, jam shumë i lumtur. Nuk do të ketë tolerancë për askënd, nuk do të ketë kompromis. Në krejt Kosovën do të dalim do të vazhdojmë në krejt Kosovën. Kjo ka vetëm një qëllim vetëm për me mbrojt jetë njerëzish”, ka theksuar ai.
Se gjendja e sigurisë së punëtorëve të ndërtimtarisë në Kosovë është në gjendje jo të mirë po e pranon edhe vetë kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve, Faton Hoxha por ai thotë se ka masa tjera që duhet të ndërmerren dhe jo vetëm skelet. Ai ka shtuar se e përkrahin aksionin e tyre, por që paraprakisht është dashur të bëhet një analizë.
“Nuk është skelja e vetmja masë e sigurisë dhe kërkesa juj është se të mbyllet punishtja deri sa të rrethohet objekti me skele dhe të vendosen pajisje personale. Plotësisht pajtona s epa pajisje personale punëtorët nuk duhet me i leju me hy as në objekt. Mirëpo nuk është e vetmja masë skelja, sepse sa objekte i kemi duke u ndërtu nuk kemi skele për me i furnziu. Ka masa tjera që munden me u ndërmarrë…në asnjë rast s’po duam me kundërshtu aksionin e juj që është në të mirën e sigurisë së punëtorëve, por masa e fundit është më shumë se radikale. Nuk mundeni me dalë edhe me i mbyll punishtet Ad Hoc pa dalë dhe pa dalë me bo analizë se a kemi edhe mundësi teknike. Se për gjitha punishtet duhet minimumi, nëse janë objekte jo shumë të mëdha 100 punëtorë të specializuar me i montu ato skele”, tha Hoxha.
Se vendimi është i ngutshëm e ka mohuar Ibrahimi. Ai u tha se gjithçka ka ardh pas inspektimit dhe Pasi që gjendja në terren nuk është përmirësuar.
“Ju nuk keni dashtë me marrë vesh. Kjo është çështje obligative pa pas nevojë për inspektoratin. Fatkeqësia më e madhe është se ndërtimtarët dhe punëdhënësit e tjerë po e presin vetëm kur shkon inspektorin e punës me ndërhy. Ne nuk mundemi me mbajt ka një inspektor te dera e cdo biznesi. Ne nëse nuk ndërmarrin masa më të ashpëra, dhe ne jemi ballafaquar me të gjithë veçse ne po marrim masa të buta. Puna në terren na ka bërë me marrë këto masa. Ne nuk mundemi me prit me ndodhë vdekje tjera, se janë tepër, janë tepër. 19 vdekje në Kosovë është shumë e madhe dhe nuk kemi mundësi tjetër. Për punën e skeleve a ka a po nuk ka unë nuk e di, ju para se me nis ndërtimet është dashtë me ditë. Është çështje që e zgjidhni vetë dhe ne nuk merremi me këtë çështje. Mua më vjen keq nëse po dëmtohet biznesi por nuk ka mundësi tjera se nuk do të humbim jetë njerëzish. Çka do të tjetër që të kish qenë, mos të kish qenë në pyetje jeta e njerëzve kishim mujt me bisedu, por për jetën e njeriut nuk ka çmim dhe asnjë çështje nuk matet me jetën e njerëzve”, theksoi Ibrahimi.
Njëri prej pronarëve që iu është ndaluar puna pasi që nuk ka skele mbrojtëse, tha se nuk janë dalë me myt njerëz dhe se edhe ata janë të ndjeshëm se bashkë me punëtorët punojnë edhe fëmijët e tyre. Ai po kërkon që të inspektorati të merren me sigurinë e punëtorëve e jo me këto masa.
“Nuk jemi na me dalë me myt njerëz. Edhe na e ndjejmë se edhe na jemi njerëz. Se aty kemi edhe fëmijët tonë. Shumë më mirë është me u marrë me sigurimin e punëtorëve dhe jo me i lënë fëmijët në sakak. Masat e sigurisë në punë, ndalja punën, veç jo me masa sigurisë me skele. Ju si inspektoriat, si shtet merreni një ligj të një shteti dhe t’i vazhdojmë procedurat që na thoni dhe ne i përfillim. Se na jemi për me punu. Me 33 shtylla të hekurit ja kam nis me punu, e edhe sot jam i kënaqun me punën. Hajde të objekti jem, nuk i kam marrë masat e sigurisë. Sa herë kanë ardh inspektorët… nuk muj me vra punëtori pse nuk e ka vnu helmetën, inspektori thotë se nuk dënohet punëtori por pronari. Se dikush thotë po me dhemb kryt prej tij, dikush thotë s’po muj me majt”, tha ai.
Gjatë diskutimit u këmbëngul që të paktën punimet të vazhdojnë deri në fund të këtij viti. Ibrahimi ka ritheksuar se nuk do të bëjë kompromis për jetë-vdekje.
“Nuk është që nuk kam dëshirë me ju ndihmu. Kjo është një çështje jete e vdekje. Por nuk mundemi me bërë kompromise dhe nuk mundem se deri më tash 100 mijë mënyra i kemi provu. Unë nuk mundem me marrë përgjegjësi e as nuk bëjë kompromise”, ritheksoi Ibrahimi.
Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve, tha se do të komunikojnë dhe me kryeministrinë dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për të diskutuar rreth kësaj çështje.
“Të dy palët jemi me zbatu ligjet. Si përfundim do të provojmë që gjatë ditës në vazhdim që prej Kryeministrisë dhe MMPS. Ne prapë mendojmë se vendimi është Ad Hock dhe se nuk është vendimi i njëjtë për të gjitha kompanitë. Por ne do të jemi kontakt dhe jemi për bashkëpunim”, tha Hoxha.
Këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Haki Shatri duke mos e ditur se kur do të përfundojë sezoni i punës në ndërtimtari, ka kërkuar nga kryeinspektori dhe ndërtimtarët që të arrijnë një marrëveshje për sezonin e ardhshëm.
