Featured
Ndërtimi i “Spitalit të Prishtinës”, premtohet nga kryetari i tanishëm
Kryetari i tanishëm dhe kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ka shpalosur katër pikat e programeve kryesore, ku njëri nga këto pika ishte edhe themelimi dhe funksionalizimi i Spitalit të Prishtinës.
Premtim tjetër për ndërtim ishte dhe qendra për Autizëm dhe Sidromë Down, si dhe Qendra e Mjekësisë Familjare në Veternik.
Këtë premtim Ahmeti e bëri në një konferencë për media, ku ka folur edhe për qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë, duke thënë se me qeverisjen e tij do të funksionojnë ndryshe këto qendra.
“Pothuajse 85 për qind e pacientëve i kryejnë punët në QKUK, dhe këto qendra janë konkurruese me sektorin privat, ku këto qendra ofrojnë 1.2 milionë vizita dhe 2 milionë shërbime, po ashtu është bërë renovim i shumë qendrave të mjekësisë familjare”, tha Ahmeti. Njëri ndër programet kryesore të tij është shëndeti dhe mirëqenia sociale për të gjithë, ku në kuadër të saj Ahmeti shpalosi katër pikat kryesore të cilat janë:– Themelimi dhe funksionalizimi i spitalit të qytetit
– Ndërtimi dhe funksionalizimi i qendrës për Autizëm dhe Sindromën Down
– Ndërtimi dhe funksionalizimi i qendrës për mjekësi familjare në Veternik, si dhe
– Përfundimi i zonimit të qytetit për shëndetësinë primare, në të cilën Arbën Vitia ka theksuar se zonimi i pjesëve të qytetit ka filluar i cili do të përfundojë në afat prej dy muajsh. “Janë zonuar të gjitha pjesët e qytetit, ndryshimi i emrave të rrugëve ka qenë problem për ne, por kemi filluar t’i zonojmë ato rrugë, problem ky i cili brenda 2 muajve do të jetë proces i përfunduar”, theksoi ai.