Aktuale
Ndërtimi i shumëkatëshes midis monumenteve në Prizren sërish në agjendë
Ndalimi i ndërtimit të shumëkatëshes midis monumenteve në zonën e ish-fabrikës së barnave “Farmakos” duket të mos jetë punë e kryer. Qysh në nëntor të vitit të kaluar Ministria e Kulturës e kishte vendosur që të mos lejonte ndërtimin kur kishte shfuqizuar vendimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve që i hapte rrugë objektit disakatësh në zonën e mbrojtur përreth aseteve të trashëgimisë kulturore, që janë Posta e Parë e Qytetit dhe Kazerma e Vjetër, që njihet ndryshe edhe si “Internati”.
Autoritetet lokale kanë publikuar një informatë për publikun lidhur me “projektin e kompleksit afarist-banesor në ish-fabrikën e ‘Farmakosit’ ku ka pasur djegie ditë më parë”. Aty është theksuar se “Komuna e Prizrenit nëpërmjet Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor ka pranuar një kërkesë për projektin ideor të kompleksit afarist-banesor më 4.6.2018”.
“Kjo kërkesë është refuzuar nga vetë Drejtoria më 7.12.2018. Pas kësaj, pala është ankuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa kjo e fundit më 11.02.2019 e ka aprovuar ankesën e palës si të bazuar dhe me këtë rast e ka shfuqizuar vendimin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, duke e detyruar të veprojë sipas kërkesës së palës dhe konform nenit 18 të Ligjit nr. 04/L-110 për ndërtim”, thuhet në informatën e cila e shpjegon në kronologji këtë rast.
Procedura ka vazhduar me dërgimin e lëndës në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore, e cila këtë lëndë ia ka përcjellë Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Siç ka raportuar edhe gazeta, Instituti, në tetor të vitit të kaluar kishte marrë vendim që ta aprovojë projektin ideor për kompleks afarist – banesor. Do të pasonte reagimi i organizatës “EC Ma Ndryshe”, me ç’rast këtë reagim e kishte bartur Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Me anë të komisionit të saj për shqyrtimin e ankesave, MKRS-ja, në ditën e fundit të tetorit të vitit të kaluar kishte marrë vendim që ta shfuqizojë vendimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. “Më pas pason edhe aktvendimi i datës 22.11.2019 nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor që e refuzon kërkesën e palës. Pala përsëri ka bërë ankesë ndaj këtij vendimi të Drejtorisë tek Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa kjo e fundit më 10.01.2020 merr vendim që ta shpallë të paligjshëm aktvendimin e Drejtorisë”, thuhet në informatën e Komunës së Prizrenit.
Tutje theksohet se “më 8.2.2020 është shfaqur zjarri në parcelën fqinje ku parashihet ky projekt, ndërsa rreziku i përhapjes së mëtejmë të zjarrit është parandaluar nga Brigada e Zjarrfikësve në Prizren”.
“Djegia e ndërtesës në lokacionin ku parashihet ky projekt nuk e ndryshon qëndrimin e Komunës dhe në vijim do të shikohen mundësitë ligjore që të kundërshtohet vendimi i MMPH-së”, përfundon informata e Komunës së Prizrenit.