Arkitekturë
Ndërtimi i një muzeu në natyrë, projekti fantastik i britanezëve
Foster + Partners ka zbuluar planet për të rrethuar zgjerimin në Muzeun e Artit Norton në West Palm Beach të Floridës me një kopsht subtropikal, për të siguruar një “galeri në natyrë” për skulptura.
Firma britanike, e udhëhequr nga arkitekti Norman Foster, do të krijojë kopshtin e saj të parë publik si pjesë e rinovimit dhe zgjerimit të muzeut në Olive Avenue, i cili do të kompletohet në shkurt 2019.
Kopshti, i cili do të zëvendësojë një park thjeshtë të asfaltuar në anën jugore të muzeut, do të mbushet me 272 pemë dhe shkurre për të krijuar një hapësirë publike me hije nga dielli i ashpër i Floridës.
Pemët do të formojnë mure rreth zonave të ndryshme të zëna nga 11 skulptura të dhuruara nga Pamela dhe Robert B Goergen.
“Muzeu ka vepra të rëndësishme të artit publik të skulpturës, por kurrë nuk ka pasur mundësi apo aftësi të jetë në gjendje të përqafojë plotësisht peisazhin lokal dhe të krijojë hapësira në natyrë”, tha Foster, ndërsa zbuloi dizajnin gjatë një konference shtypi në Kullën e tij Hearst në Nju Jork.
Arkitekti i peizazhi nga Foster + Partners, Neil Bancroft, përzgjodhi bimësinë që i përshtatet klimës subtropikale të Floridës, erërave të ashpra të uraganeve dhe mungesës së ujit në sezonin e thatësirës.
Bancroft ka për qëllim që pemët të rriten mjaft të mëdha për të siguruar hije për publikun si dhe për të shijuar një zonë ngrënie e cila do të ngrihet në kopsht. Shtimi i gjelbërimit nga Foster + Partners është pjesë e konceptit “Muze brenda një kopshti”.
Dizajni do të shtojë një krah të ri 5 mijë metra katror që përbëhet nga një sallë e madhe dhe një qendër edukimi.
Puna e këtij projekti filloi në vitin 2016, dhe struktura përfundoi në qershor të këtij viti, pak para se vendi të ishte goditur nga Uragani Irma. Firma tha se vendi ka pësuar dëme minimale dhe pema “Banyan” gjithashtu mbijetoi.
Planet e tjera të Foster + Partners për muze përfshijnë rinovimin e gjashtë shtëpive të viteve 1920 në jug të kopshtit, për të krijuar rezidenca artistësh dhe një shtëpi për shefin ekzekutiv të Muzeut, Hope Alswang.
Firma, e themeluar nga Foster në vitin 1967, se fundi ka përfunduar punën në ndërtesën e shtabit europian Bloomberg në Londër dhe një dyqan të Apple në Çikago me një çati të formuar si një Macbook gjigand.