Aktuale
Ndërtimet e pasluftës në Kosovë konsiderohen të pasigurta
Ndërtimet, të cilat janë bërë në Kosovë pas periudhës së luftës, po konsiderohen të pasigurta nga njohësit e ndërtimtarisë dhe të arkitekturës. Ata theksojnë se një tërmet si ai 26 nëntorit në Shqipëri do të rrënonte shumë ndërtime, të cilat janë bërë pa kritere e pa mbikëqyrje përgjatë këtyre 20 vjetëve.
Ndërtesat e ndërtuara pas luftës në Kosovë janë kryesisht të pasigurta në raste të lëkundjeve të tokës. Tërmeti që ndodhi më 26 nëntor në Shqipëri rrëzoi shumë ndërtesa dhe i bëri të pabanueshme shumë të tjera. Kjo shpërfaqi ndërtimet e dobëta dhe të pakritera që janë bërë atje. Më mirë nuk qëndron as Kosova, profesorë të ndërtimtarisë e arkitektë në Kosovë pohojnë se ndërtimet që janë bërë që nga paslufta në Kosovë janë të pasigurta. Ata theksojnë se nuk janë aplikuar kriteret e nevojshme të ndërtimit dhe të mbikëqyrjes, madje nuk janë bërë inspektime nga organet kompetente as për ndërtesat ekzistuese. Ata vlerësojnë se objekte shumëkatëshe janë ndërtuar pa studim gjeologjik, sizmik dhe gjeomekanik të nëntokës, proces që në shumë vende të tjera është i detyrueshëm. Injorimi i këtyre procedurave mund të jetë fatal në rast të tërmeteve, që kanë shkallë të lartë të magnitudës. Për gjithë këtë katrahurë të ndërtimeve organet shtetërore janë ato që po konsiderohen fajtore dhe që duhet të thirren në përgjegjësi, shkruan gazeta zëri.
Prej vitit 1999 ndërtimet në Kosovë janë pa kritere
Ylber Vokshi, arkitekt, ka thënë për gazetën se ndërtimet e pasluftës në Kosovë janë të pasigurta. Ai tha se fajtor për këto ndërtime pa kritere dhe pa mbikëqyrje janë organet shtetërore e sidomos pushtetet lokale, të cilat së fundmi kanë nisur të japin leje ndërtimi vend e pavend. Kjo sipas Vokshit ngre dyshime për hierarki kriminale, e cila mund ta dërgojë Kosovën në greminë. “Në vitet e pasluftës 1999 gjithkush ka ndërtuar si ka dashur, meqë nuk kishte kontroll shtetëror. Ishte lëmi shumë fitimprurës, pasi në tërë Kosovën kishte kërkesa enorme për strehim. Pavarësisht sugjerimeve të mia pas vitit 2002 që të mos përsërisim gabimet e shteteve të tjera, ne nuk e respektuam zhvillimin policentrit të territorit të Kosovës, i cili sot në shekullin 21 është principi themelor-bazik në fushën e planifikimit hapësinor dhe të urbanizmit në botë”, ka deklaruar Vokshi.
Vokshi theksoi se asnjë profesionist i mirëfilltë nuk mund të garantojë se a janë të sigurta ndërtimet në Kosovë. Ai thotë se nga mënyra se si është punuar në këto vite ka pasur devijime të mëdha në fushën e ndërtimeve. Sipas tij, nuk ka siguri të garantuar në raste të tërmeteve për shkak të ndërtimit pa kriter. “Tërmetet janë fenomene natyrore të paparashikueshme. Në ndërtimtari kjo dukuri trajtohet sipas zonave, gjegjësisht hartave sizmike që ekzistojnë qëmoti para luftës, në mënyrë që të zbuten pasojat e mundshme të lëvizjeve të tokës. Nuk jam në dijeni se dikush nga projektuesit e statikës i ka respektuar këto kritere pas luftës, pasi askush nuk i ka detyruar edhe pse është obligim ligjor”, ka thënë Vokshi.
Vokshi thotë se mungon edhe mbikëqyrja e objekteve në Kosovë. Me Ligjin e ri të Ndërtimit ai sqaron se nga viti 2013 ka mbikëqyrje inspektuese, e cila do të duhej të funksiononte në kuadër të komunave, por që ende nuk janë formuar ato trupa. “Mbikëqyrje neutrale deri më tani nuk ka pasur. Nëse do të kishte mbikëqyrje profesionale nga ana e shtetit nuk do të kishim devijime të mëdha në aspektin e sigurisë, të përdorimit të materialeve, të kyçjeve në infrastrukturat ekzistuese dhe të reja. Pa mbikëqyrje shtetërore ndërtimtarët luajnë vallen tyre. Kjo vlen vetëm për objektet, të cilat kanë marrë leje ndërtimi e për objektet pa leje vetëm Zoti e di se me cilat kritere janë ndërtuar”, ka potencuar ai.
Edhe arkitekti Zekë Islamaj ka deklaruar për “Zërin” se nga përfundimi i luftës në Kosovë ka pasur ndërtime për të cilat nuk janë aplikuar kritere e nuk është bashkëpunuar as me ekspertë. “Që nga viti 1999 ka shumë gjëra që nuk shkojnë me rregull në Kosovë, por më së keqi është ndërtimi. Uroj të mos ketë tërmete të tilla si ai në Durrës, sepse ai do të fliste më mirë se ne të gjithë për llojin e ndërtimeve në Kosovë pas luftës. Ndërtuesit në Kosovë punojnë sikur t’ia kenë inat vetvetes, nuk bashkëpunojnë, nuk konsultohen e as nuk paguajnë ekspertë”, ka deklaruar Islamaj.
Inspektimi i objekteve, i pamjaftueshëm
Naser Kabashi, profesor në Universitetin e Ndërtimtarisë dhe të Arkitekturës, ka deklaruar për “Zërin” se ka ngecje të theksuara në aspektin e mbikëqyrjes së ndërtimeve në Kosovë dhe duhet të ketë fokus të veçantë. Ai shton se në këtë aspekt Kosova duhet t’i ndjekë modelet e vendeve të Bashkimit Evropian. “Koncepti i inspektimit sipas asaj që zbatohet sot është i pamjaftueshëm duke u lidhur në numrin e vogël të personelit dhe me pamundësinë e përfshirjes të të gjitha objekteve në të gjitha pozicionet gjatë ndërtimit, që është e rëndësisë së veçantë. Këtu duhet të bëjmë ndryshime dhe atë sipas përvojave të vendeve të BE-së. Ka shumë modele lidhur me këtë që do të ndikojnë përfshirjen e kontrollimit prej fazës së projektimit, të ndërtimit, të mbikëqyrjes dhe të përdorimit”, ka pohuar Kabashi.
Tutje ai potencon se në Kosovë kryesisht në ndërtimtari aplikohen standardet evropiane të ndërtimit. “Në përgjithësi aplikohen standardet evropiane gjatë projektimit të strukturave, meqenëse edhe në planprogramet e Fakultetit janë të përfshira këto standarde. Në këtë qasje sa i përket marrjes parasysh të projektimit në aspektin sizmik, dimensionimi bëhet deri në shkallën 8 sipas Rihterit. Objektet në Kosovë i takojnë nivelit të ndërtimit në rajon, pa ndonjë specifikë të veçantë”, ka thënë Kabashi.
Edhe Zekë Islamaj thotë se në Kosovë nuk bëhet mbikëqyrja e objekteve, por ai thotë se edhe gjendja e tokës luan rol në qëndrueshmërinë e ndërtesave, prandaj Kosova mund të ketë tokë më të mirë dhe edhe pse janë ndërtimet më të dobëta nuk mund të ketë shumë dëmtime.
Tërmetet, dëshmi për ndërtimet e dobëta
Shemsi Mustafa, drejtor i Institutit Sizmologjik, ka deklaruar se tërmetet janë dëshmia kryesore e ndërtimeve pa standarde në Kosovë, për të cilat qytetarët po i paguajnë pasojat. Ai thotë se organet kompetente janë të obliguara ta bëjnë vlerësimin e analizën e rrezikut sizmik në ndërtimet ekzistuese në raport me tërmetin e pritshëm sipas hartës se rrezikut sizmik, pasi tërmetet nuk vrasin njerëz, por janë ndërtesat ato që bëjnë një gjë të tillë. “Shumë struktura të ndërtuara në masë të madhe janë projektuar pa trajtim adekuat ndaj forcave nga tërmeti. Shumë objekte shumëkatëshe janë ndërtuar pa studim gjeologjik, gjeofizik dhe gjeomekanik të nëntokës, proces që në shumë vende është i detyrueshëm. Injorimi i kësaj procedure mund të sjellë pasoja të paparashikueshme në të ardhmen, për shkak se shumë zona në vendin tonë janë zona aktive sizmike”, ka theksuar ai.
Ndërsa Violeta Nushi, inxhiniere e arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, ka deklaruar për gazetën se vlerësimi dhe konstatimi përfundimtar për qëndrueshmërinë e ndërtesave është proces i kontrolluar dhe i verifikuar, i cili arkivohet në dosjet e secilit objekt të ndërtuar. “Është më rëndësi se kur, si dhe sa i referohemi vlerësimit të qëndrueshmërisë së ndërtesës në kuptimin e rezistencës së materialit, të teknikës dhe të teknologjisë së ndërtimit, të kualitetit dhe të kuantitetit të materialit ndërtimor, të kontekstit kohor dhe mjedisor të ndërtesës”, ka nënvizuar ajo.
Tutje ajo ka treguar edhe për mënyrën se si duhet të bëhet mbikëqyrja e objekteve. “Mbikëqyrja e objekteve është e definuar sipas fazës ose kohës së planifikimit, të projektimit, të ndërtimit dhe të operimit të ndërtesës. Mbikëqyrja e objekteve në fazën e ndërtimit është e përcaktuar dhe e obliguar me ligj. Për mosaplikueshmëri të ligjit do të duhej të sanksionohej i gjithë qarku vendimmarrës. Në të kundërtën pasojat pastaj janë shumë-shumë më të mëdha, jo vetëm në rastet e fatkeqësive natyrore, por edhe të atyre tekniko-teknologjike gjatë procesit të ndërtimit dhe të mirëmbajtjes së ndërtesave”, ka përfunduar Nushi.