Aktuale
Ndërron jetë projektuesi dhe teoricieni italian, Alessandro Mendini

Arkitekti dhe projektuesi italian Alessandro Mendini, i njohur për dizajnet e tij, përfshirë kolltukun Proust dhe Muzeun “Groninger”, ka ndërruar jetë në moshën 87 vjeçare.
Ai ishte një figurë kyçe në lëvizjen radikale të dizajnit të viteve 1960, si dhe në lëvizjen postmoderne. Mendini prodhoi vepra me ndikim në arkitekturë, dizajn të brendshëm, mobilje dhe ndriçim përmes karrierës së tij 60-vjeçare, shkruan “Dezeen”, transmeton Ndërtimi.info.
Ndër të tjera Mendini ishte gjithashtu një teoricien i rëndësishëm, i cili shërbeu si redaktor i revistave italiane të dizajnit “Casabella”, “Modo” dhe “Domus”.
Eksperti i projektimit dhe postmodernizmit Adam Nathaniel Furman, e përshkroi Mendinin si “një figurë me rëndësi të madhe dhe një mendje të bukur që ndihmoi në hapjen e horizonteve”.
“Ai ka lënë një trashëgimi për të gjithë ne, trashëgimi e cila nga njëra anë flet për ata që dëshirojnë të dëgjojnë dhe nga ana tjetër kërkon mbrojtje të fuqishme kundër atyre fundamentalistëve estetikë që do ta largonin atë nga duart” u shpreh Furman përmes një postimi në rrjetin social Twitter.
Kritiku italian Francesca Oddo e përshkroi Mendinin si “protagonistin e një revolucioni të vërtetë në dizajn”.
“Brilliant, vizionar, gjithmonë i interesuar për të eksploruar disiplina të ndryshme, në 87 vitet e jetës së tij kurrë nuk pushoi së menduari për njeriun, të kuptuarit si ‘trup, psikikë dhe shpirt’ në qendër të projektit.
Mendini filloi karrierën e tij në zyrën e artistit dhe projektuesi Marcello Nizzoli, pas përfundimit diplomimit të tij në arkitekturë, në Politecnico di Milano në vitin 1959.
Në 1979 ai u bashkua me studion “Alchimia”, që ofroi në atë kohë, një alternativë ndaj rregullave strikte të modernizmit, duke favorizuar kështu ngjyra dhe dekorime të guximshme.
Më vonë ai përfundoi kolltukun Proust, një nga karriget më ikonike dhe revolucionare të shekullit të 20-të. Kombinoi një formë barok me modelin e sipërfaqes me kornizë prej druri dhe mbështjellës të mbuluar me qindra pika të pikturuara me dorë.
Në një intervistë për Dezeen, në vitin 2015, Mendini e përshkroi Proustin si “një stërvitje intelektuale”.
“Kjo karrige është shumë e shtrenjtë, nuk ka funksion, është vetëm për qejf. Por pikëpamja është një teori e vërtetë. Sepse nëse çdo pikë është e mirë, i gjithë objekti është i mirë”.
Mendini ngriti praktikën e tij arkitektonike në vitin 1989 me vëllanë e tij Francesco, të quajtur “Atelier Mendini”.
Projektet kryesore përfshinin Muzeun Groninger në Holandë, Museo di Omegna, një ndërtesë postmodernë në Italinë veriore dhe kompleksi teatror Teatrino della Bicchieraia në Italinë qendrore./Ndërtimi.info/
