Aktuale
Ndërmarrjet publike me shumë probleme, vazhdojnë të punojnë me humbje

Ndërmarrjet publike të Kosovës janë duke punuar me humbje dhe pothuajse të gjitha janë duke u ballafaquar me probleme serioze.
Kështu u tha në seancën e Kuvendit të Kosovës në të cilën po shqyrtohet raportit i performacës së ndërmarrjeve publike për vitin 2015-2016, raporton Ndërtimi.info.
Në vitin 2015 nëntë ndërmarrje publike kanë punuar me humbje, ndërsa në vitin 2016 dhjetë ndërmarrje.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, derisa paraqiti raportin para deputetëve, tha se pavarësisht gjendjes në këto ndërmarrje kanë vazhduar shpenzimet dhe bonuset e anëtareve të bordeve.
“Në përgjegjësinë e Ministrisë së Zhvillimit ekonomik janë 16 ndërmarrje publike të nivelit qendror dhe regjional. Performaca e tyre është në rënie në përgjithësi, përveç pesë prej tyre, kanë munguar masat adekuate për ndryshimin e saj, përkatësisht duke reduktuar shpenzimet dhe rritur vëllimin e cilësisë së shërbimeve të përmirësojnë efikasitetin e vetë. Në vitin 2016 në total shpenzimet kanë qenë 29 milionë euro më të larta se të hyrat dhe është rritur numrin i punëtorëve dhe shpenzimeve. Në vitin 2015 me humbje kanë punuar nëntë kompani, ndërsa në vitin 2016 dhjetë kompani. Përkundër kësaj situate në këto kompani ka vazhduar akomoditeti dhe anëtarët e bordeve kanë pasur shpenzime të ndryshme, normalisht edhe duke u shpërblyer”, tha Lluka.
Tutje, ai tha se brenda këtyre muajve ministria që ai drejton ka marr masa me qëllim të përmirësimit të gjendjes së përgjithshme. Sipas Llukës, pasi është analizuar gjendja në ndërmarrjet publike janë marr disa vendime për reduktim të shpenzimeve, masa për ndalimin e bonueseve për anëtarët e bordeve dhe shpenzimeve pa ndonjë arsyetim të duhur.
