Aktuale
Ndahet buxheti për Spitalin e Prishtinës
Qendra më e madhe spitalore e vendit do të ketë më pak pacient pas vitit 2021. Këtu në Prishtinë do të ndërtohet një spital vetëm për rajonin e Prishtinës, ashtu siç e kanë rajonet tjera.
E për investimin e këtij projekti me rëndësi, të enjte, Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili e ai i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, nënshkruan një memorandum.
Buxheti për këtë projekt i cili parashihet të përfundojë për tre vjet është ndarë dhe kap shifrën e mbi 7 milion eurove.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se është ndarë buxheti për ndërtimin e një spitali modern për pacientet e Prishtinës.
“ Unë e di që ky projekt do të përfundojë me sukses, pra do të kemi një spital të Prishtinës, do të ofrojmë shërbime për qytetarët e Prishtinës. Do të jetë një spital modern, do të ketë shërbime moderne. Puna e parë që ka qenë me rëndësi ka qenë ta kemi një kod buxhetor, të dihet që është ndarë një buxhet për spitalin e Prishtinës”, tha ai.
Projekti i ndërtimit të spitalit të Prishtinës është vetëm në fazën fillestare derisa ende nuk dihet lokacioni.
Bashkëpunim mes Ministrisë dhe Komunës kërkoi edhe ministri Yagcilar
“Hapi i parë do të jetë hartimi i studimit të fizibilitetit, pastaj projektit dhe në fund realizimi ose ndërtimi”, shtoi ai.
Të kënaqur nga ky vendim kanë mbetur edhe qytetarët e Komunës së Prishtinës, megjithëse e quajnë një hap të vonshëm.


