Connect with us

Aktuale

“Myzeqeja”, si i shpëtoi rrënimit ish-fabrika e miellit

Published

on

Rreth 80 vite më parë, në vitin e largët 1936,mjeshtrat e mirënjohur dibran me banim në Fier, Ago dhe Jonuz Boriçi do të vendosnin gurët e parë në themelet e fabrikës “Myzeqeja” një nga gjashtë  fabrikat e  miellit në Shqipëri.

Në Gusht të vitit 2016, Arben Shega ,së bashku me 20 muratorë të tjerë fierakë, të drejtuar nga Neim Hoxha, me mistritë e tyre, do të nisnin të rehabilitonin këtë fabrikë, sipas projektit të arkitektëve dhe urbanistëve, për ta kthyer në një Galeri Artesh dhe qendër  shumëfunksionale. E ndërtuar në një sipërfaqe prej 2 308 m2 dhe  e rrethuar në atë kohë edhe me mur me gjatësi 102 ml, ish fabrika “Myzeqeja” ishte më tepër se një simbol i urbanizimit ,me arkitekturën e saj të veçantë. Sipas Drejtorit të Muzeut Historik të Fierit Nuri Plaku,” Godina e fabrikës u projektua nga specialistët italian me dimensione 20 m gjatësi, 6.5 m gjerësi dhe 16 m lartësi.Ndërsa leja e ndërtimit u konfirmua nga Ministria e Punëve Botore dhe zbatimi i projektit u ndoq nga specialisti i njohur italian pranë kësaj ministrie, Tamborlini.

Gjithë materiali i ndërtimit, duke përjashtuar inertet, u importuan nga Italia. Projekti për kthimin e saj në një qendër shumëfunksionale, lindi fillimisht si një ide në kokën e kryebashkiakut Armando Subashi, Ai ftoi në takime bashkëbiseduese dhe konsultuese arkitektë e specialistë të urbanistikës, deri dhe nga kryeqyteti. Ideja e shumëdiskutuar dhe debatuar u konkretizua në kuadrin e projektit të madh të ndërtimit të Parkut Qendror. Në fakt godina e braktisur qysh nga vitet 1997,ishte kthyer në një objekt grumbullimi mbetjesh të gjithëfarë llojshme, duke krijuar një ansambël lodhës aspak të hijshëm në qendër të Fierit. Kjo gjendje, amortizimi i saj dhe vetë specifikat e projektit të ndërtimit të parkut, që kërkonte hapësirë të gërshetuar me gjelbërim dhe mjedise shlodhëse për qytetarët, nxitën dhe prodhuan ide dhe mendime të ndryshme, që shkonin deri dhe për një shembje dhe zhdukje nga hapësira  të godinës karakteristike.

Nxitja e debateve, përthithja e mendimit të specialistëve, projektet e hartuara nga  arkitektët, që konkurronin mes tyre e kthyen për disa kohë sallën e takimeve të kryebashkiakut, në studio ku u ravijëzua dhe më pas u vendos jo vetëm mos shembja e ngrehinës, por edhe rehabilitimi tërësor dhe përthithja e ekzistencës  së  saj brenda projektit të Parkut, duke marrë rolin e pazëvendësueshëm të një qendre që do ti jepte Parkut të ri, dimension  sa argëtues, aq dhe të mbështetur në histori dhe vlera urbanistike qytetare fierake. Dhe kështu ndodhi. Ngrehina e ish-fabrikës u vendos që t’i nënshtrohej  rehabilitimit dhe të kthehej në një kompleks arkitektural tërësisht në shërbim të qytetarëve, duke u tjetërsuar nga simboli i portës së industrializimit në Fier, në një godinë që ruan origjinalitetin historik dhe kulturor të qytetit dhe më gjerë.

“Duhej  restauruar godina me ndërtimin më karakteristik në Fier. Duhej ruajtur mbi të gjitha identiteti dhe origjinaliteti i saj”, thotë drejtuesi i punimeve Neim Hoxha, i cili po mbush 50 vjet që punon në ndërtim, dhe tashmë bënë pjesë në strukturën drejtuese teknike të kompanisë që ka fituar tenderin për restaurimin e ish Fabrikës. Një vit më parë, në Gusht  2016, kompania nisi punimet, duke gërshetuar restaurimin e godinës me ndërtimin e parkut të ri.

Tonelata me mbeturina gjithëfarësoj të grumbulluara aty prej më shumë se 20 vitesh, u hoqën nga ambientet e brendshme dhe të jashtme të ngrehinës. “Nuk mund ta merrni me mend se çfarë katrahure ishte krijuar këtu. Për tu futur në godinë dhe nisur nga puna, kemi kaluar ditë e net në ngarkesë të plotë për eliminimin e mbetjeve të ndryshme dhe inerte” tregon Arbeni. Projekti modern polifunksional dhe gjithëpërfshirës, që kap vlerën e 300 milion lekëve të reja, përfshin brenda tij parkun e madh urban, me gjelbërim, me zona rekreative për të gjitha grupmoshat, si dhe hapësira për artin dhe kulturën Pjesë e rëndësishme e tij është unifikimi I fasadave në katet përdhe duke i dhënë përparësi zonës së biznesit, restaurim të fasadave, rikthim të elementëve karakteristike historikë dhe kulturorë të qytetit, shtim të zonës së gjelbër, lirim të hapësirave publike dhe sistemim të infrastrukturës nëntokësore dhe mbitokësore.

Punimet restauruese, në ish-fabrikën e ndërtuar si një ndërmarrje private nga një grup aksionerësh, me investime të ndryshme kapitalesh, në vitin e largët 1936,po shkojnë drejt fundit. Harmonia e krijuar nga e pamundura, për ta restauruar  me realitetin e transformimit, duket qartë. Në  hapësirat ndërkate ku vitet e para të nisjes së punës së saj punonin rreth 32 punëtorë janë vendosur dhe presin të hiqen  skeleritë që mbajnë  mbi vete 20 muratorët që i kanë ndryshuar pamjen e brendshme dhe të jashtme godinës.

Hapësirat mes kateve që shërbenin për punë të ndryshme, makinat e blojës, mbushjen e thasëve me miell, tampimin e tyre, analizat laboratorike, e deri te proceset e shumta të magazinës që lidheshin me triorimin e grurit nëpërmjet garavellave, shkoqjen e misrit, grumbullimin e  transportin e produktit përfundimtar, tashmë janë izoluar dhe mbushur me soletina, duke krijuar një godinë me katër kate të ndara mes njëri tjetrit, ku kati i parë do të shërbej si një kafene, i dyti një kompleks zyrash dhe kati i tretë dhe i katërt, qendër e galerisë së arteve fierake.

“Duheshin ruajtur fugat horizontale, ashtu sikurse ishin krijuar që në ndërtim të saj dhe çdo element që tregon identitet”, thotë Neimi. Zhurma e mistrive teksa trazon llaçin në mbajtëset metalike dhe masa e llaçit që shkëputet , fluturon dhe ngjitet në mur, krijon një  lloj muzike të çuditshme brenda godinës. Zhaurimë e ëmbël, tonesh, kërcitje. Sërish një provë për rifillim të punës, Kuartet mistri, llaç, duar. Ofshamë, tendosje, lëvizje. Një shkundje  muskujsh dhe sërish gjithçka nga e para në procesin e punës. “Arritëm që të ruajmë fizionominë e godinës. Kjo është e para. Edhe çatia e mbyllur kërkonte tjegulla me një ngjyrë të përshtatshme.

Fati ishte që ndërtesa ruante rezistencë dhe qëndrueshmëri. Jemi lodhur, Por ndihemi të kënaqur”, thotë Besimi, një tjetër murator që punon këtu. Secili përpiqet të zbatoj detyrën e dhënë. Në mes kateve nga brenda është ndërtuar një shkallë provizore. Aty ngjiten në orët e para të mëngjesit punëtorët për të zbritur më pas në orët e para të mbrëmjes. Ndërsa materialet furnizuese dhe llaçi iu dërgohet nëpërmjet një pajisjeje karukull, në hapësirat e kateve respektive. Shkurt, puna është kryefjala në këtë godinë, që s’mund të quhet më e vjetër. “Në katet e sipërme, nga jashtë, godina u vesh me një material çeliku të lehtë me ngjyrë ndryshku. Tregon kohë, qëndrueshmëri dhe  pasqyron jetëgjatësi”, thotë Neimi. “Çmontuam pajisjet e vjetra të miellit dhe kemi arritur të gërryejmë me furçë gjithë hapësirën e jashtme dhe të brendshme të muraturës. Përdorëm edhe rrjeta teli. Pastaj e lyem, patinuam muret dhe arritëm më shpëtojmë fugat duke i nxjerrë ato në pah. Ndërtesa është gati, sipas projektit ,” shton ai.

Qendra multifunksionale

Përbri Qendrës shumëfunksionale është ndërtuar edhe shatërvani i ri .Edhe ai është pjesë e projektit të parkut të madh në Fier. “Parku si një nga investimet më të mëdha do të jetë shumë shpejt i gatshëm për qytetarët. Është kryer një punë e mrekullueshme dhe më shumë cilësi e efikasitet. Kompleksit të pemëve lulishteve, me qendrën shumëfunksionale në mes, i bashkohen edhe mjediset shlodhëse dhe argëtuese. Kinemaja  është ndërtuar në një kat nëntokë dhe do të jetë e gatshme shumë shpejt. Përveç shatërvanit  kryesor, përbri godinës së ish fabrikës së Miellit, një shatërvan që është pëlqyer shumë nga qytetarët, kryespecialisti kinez  ka sjellë edhe modele të minishtarvanëve të tjerë që do të instalohen në pjesë të ndryshme të këtij parku, Pretendojmë të ndërtojmë edhe 27 minishtarvane të tjerë në pjesë të ndryshme të parkut, që do të jenë në harmoni me shatërvanin kryesor” thotë kryebashkiaku Armando Subashi.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending