Aktuale
Muzeu i hebrenjëve në Berat, që u ngrit me paratë e pensionit të Simon Vrushos
Një vit gjysme më parë me iniciativën e tij profesor Simon Vrusho hapi muzeun “Solomon“.
Kjo nisme u vu ne jete pas një pune këmbëngulëse nga ana e tij për më shume se 30 vite, duke investuar aty te ardhurat nga pensioni i tij dhe bashkëshortes. Ne muze janë vendosur foto dhe fakte te mbledhura nga profesor Simoni nga familjet beratase të cilët kanë ndihmuar hebrenjtë në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Ai ndërroi jetë vetëm një muaj pas hapjes së muzeut, ndërsa bashkëshortja e tij Angjelina Vrusho vendosi ta mbante hapur këtë muze ajo duke përmbushur amanetin e tij .“Tek këmbët e mia fle një muze mos e lër të shuhet”, i tha ai asaj para se të ndërronte jetë.
Angjelina, një mësuese në pension përshkon çdo ditë disa kilometra rrugë për të hapur muzeun. Ajo thote se nuk mund te linte qe mundi i Simonit të shkonte dëm.
“Ishte shumë e shkurtër jeta e tij pas hapjes së muzeut ndaj shpesh më thoshte mos e lër të shuhet këtë muze është histori e mbledhur dhe projektuar nga ne të dy lodhje mundimi që kemi bërë bashkë. Kështu vendosa ta mbaj hapur muzeun, por ne kishim më shumë foto fakte kishim më shumë stenda dhe ambienti ku ishim më parë ishte tepër i vogël dhe vendosa të ndërroj ambientin. Hapa këtë muze jo vetëm duke çuar amanetin në vend, por ishte edhe dëshirë e imja”, shprehet Angjelina.
Angjelina tregon me detaje çdo stende te muzeut, madje duke ua shpjeguar edhe vizitoreve te huaj megjithëse nuk e zotëron mirë gjuhën e huaj. Muzeu qëndron i hapur ne lagjen muzeale “Kala” ku vizitorë të shumtë ndjekin me kuriozitet çdo stende e foto, duke shprehur ne mjaft raste habinë qe një qytet kaq i vogël të mbronte jo pak, por 601 hebre. Faktet ne muze tregojnë për familjet beratase që strehuan në shtëpitë e tyre hebrenjtë. Angjelina u bën thirrje familjeve te tjera beratase qe ende ruajnë sende të hebrenjëve qe kanë mbrojtur dikur t’i sjellin ne muze për ta pasuruar atë.