Ndërtim
Muzeu i Auschwitzit me ekspozitë lëvizëse
“Aushwitz. Not a long ago. Not far away” apo “Aushvic. Jo para shumë kohësh. Jo shumë larg” është emri i ekspozitës që do të zhvillohet në muzeun me seli në Oświęcim të Polonisë, shkruan Koha Ditore, përcjellë Ndertimi.info
Më shumë se 600 mijë eksponate do të ekspozohen në kuadër të saj, shumica prej të cilave janë të vetë Muzeut, por ka edhe disa të tjera që janë huazuar nga qendra të ndryshme të Holokaustit dhe koleksione në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – përfshirë Muzeun Memorial të Holokaustit në Shtetet e Bashkuara dhe nga “Yad Vashem” e Qendra Botërore e Kujtesës së Holokaustit në Izrael. Disa nga gjësendet që janë pjesë e kësaj ekspozite janë huazuar edhe nga të mbijetuarit e Holokaustit dhe koleksionet private.
Kjo ekspozitë rrëfen historitë e viktimave, duke i ekspozuar gjësendet e tyre personale, por gjithashtu shpërfaq e ekspozon edhe një kazermë origjinale nga kampi i Auschwitzit dhe një tren gjerman, të cilin nazistët e kishin shfrytëzuar për të transportuar të burgosurit në Poloninë e okupuar.
“ Qëllimi kryesor i këtij projekti është ta kuptojmë se si qe bërë ai vend dhe se çfarë nënkupton kjo për pikëvështrimin tonë ndaj vetes”, kanë shkruar përfaqësuesit e muzeut në uebfaqen zyrtare. Ekspozita do të ndalet nëpër shtatë qytete të Evropës, duke nisur me Madridin e Spanjës në fund të këtij viti. Shtatë ndalesa të tjera janë caktuar edhe për Amerikën Veriore, por qytetet ende nuk janë përzgjedhur.
“Asgjë nuk mund ta zëvendësojë një vizitë në lokalitetin autentik të krimit më të madh të shekullit njëzet”, ka thënë drejtori i Muzeut të Auschwitzit, Piotr M.A. Cywinsk, duke shtuar se ekspozita të cilën do të kenë rast ta shohin njerëzit në shtete të ndryshme, mund të jetë “një paralajmërim për të gjithë kundër ndërtimit të një të ardhmeje mbi urrejtjen, racizmin, antisemitizmin dhe përbuzjen e pafundme për qeniet e tjera humane”.
I themeluar më 1947, “Auschwitz-Birkenau State Museum” mbron lokalitetin autentik të kampit sikurse mban gjallë kujtesën për viktimat – duke shpresuar të shërbejë si një paralajmërim për gjeneratat e së ardhmes. Një rekord prej më shumë se dy milionë njerëzish nga e gjithë bota e kishin vizituar muzeun e memorialin më 2016. Kompleksi i kampeve të përqendrimit në Auschwitz ishte ngritur më 1940, si më i madhi i llojit të vet që u themelua gjatë regjimit nazist. Të burgosurit ishin përdorur për punë të detyrueshme. Rreth 1.1 milionë të burgosur ishin vrarë atje ndërmjet viteve 1940 dhe 1945, shumica prej të cilëve hebrenj.
You must be logged in to post a comment Login