Aktuale
Mustafa thotë se qeveria e re duhet t’i rrisë investimet vjetore deri në 700 milionë euro
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh ekspert i çështjeve ekonomike, Muhamet Mustafa, ka thënë se qeveria e re duhet të rrisë investimet vjetore publike dhe private rreth 700 milionë euro.
Ai në një postim në Facebook shkruan se ajo çka i duhet Kosovës edhe në 2020 është zhvillimi ekonomik me ritme të shpejta.
Sipas tij, rritja e tashme ekonomike rreth 4% sado që shumë e quajnë solide nuk është e mjaftueshme.
“Ky ritëm i rritjes ekonomike jo vetëm që është më tepër një rritje nga inicioni i disa faktorëve që lidhen me stadin zhvillimor dhe disa faktorë që vijnë nga jashtë, por është fragjil dhe jo e qëndrueshme”, ka shkruar ai.
Sipas tij, për të marrë drejtimin e duhur duhet fuqizuar forcat e brendshme zhvillimore dhe promovuar e zbatuar politika që rritin ofertën vendore të produkteve për tregun e brendshëm dhe për eksport.
Mustafa thotë se kjo kërkon një rritje të investimeve publike për 200 milion euro dhe një rritje të investimeve private 500 – 700 milionë në vit.
“Ndërkaq te rritja e investimeve publike ka probleme të mëdha me deformimet në strukturën e buxhetit që janë krijuar me rritjen e pagave të sektorit qeveritar, pra me koston e lartë të Qeverisë dhe administratës, një kosto tepër të lartë për nivelin e zhvillimit të vendit. Ndërkaq rritja e investimeve private mbetet peng i dobësive në qeverisjen makroekonomike, mos zbatimin e ligjit dhe korrupsioni i lartë. Qeveria e re duhet të ballafaqohet me këto probleme jo të lehta”, ka shkruar ai.
Sipas tij, nga ana tjetër situata në shoqëri përgjithësisht mbetet peng edhe i defekteve në krijimin dhe funksionimin e institucioneve që prodhohen nga lufta primitive pulitke grupore e partiake për pushtet, duke e vënë pushtetin si qëllimin primar për të servisuar kastat partiake dhe të interesit grupor politik e ekonomik.
“Mbeten shumë të panjohura si se do të rrjedhin gjerat këtu, pas konstituimit të legjislaturës së shtatë të Kuvendit. A do të krijojë ky moment një praktike të re institucionale apo negociatat për pushtet do ta devalvojnë edhe ketë dhe do të hyjmë në një situate pritjeje, status kvo, e cila do të rritë apatinë me shumë probleme shoqëruese degjeneruese. Urojmë që të ndodhë e kundërta dhe të ketë një kthjellim në logjiken dhe sjelljet e aktorëve politik”, shkruan ai.