Aktuale
Përfundon ndërtimi i murit në Mitrovicë

Ka përfunduar tërësisht ndërtimi i murit, pranë urës së lumit Ibër në Mitrovicë.
Këtë gjë e ka konfirmuar për Gazetën inFokus, njëri prej mbikqyrësve të punëve që po bëhen në pjesën veriore të kësaj ure.
“Kompania serbe e cila e ka pasur për detyrë ndërtimin e murit e ka përfunduar tërësisht punën. Ajo kompani nuk ka qenë nën mbikëqyrjen tonë. Kompanisë sonë i ka mbetur edhe disa punë për t’i kryer në pjesët e tjera. Disa punë dytësore”, theksoi ai.
Ky mbikëqyrës i cili nuk deshi të identifikohet gjithashtu na tha se punët do t’i përfundojnë shpejtë dhe beson se ura do të jetë e gatshme për hapje, nga mesi i muajit të ardhshëm.
Por, ndryshe deklaruan punëtorë të kësaj kompanie.Ata i thanë Gazetën inFokus se të gjitha punët që kanë qenë të parapara në projekt i kanë përfunduar, por theksuan se shefat e tyre kanë biseduar paraditen e së mërkures me dikë nga veriu.
“Ne punët i kemi përfunduar tërësisht. Vetëm edhe këto karrige po i vendosim dhe nuk kemi më shumë punë këtu. Sipas asaj që është e paraparë në projekt gjithçka përfundon me kaq. Por i kemi parë mbikëqyrësit tanë që sot kanë folur me dikë nga veriu. A ka qenë dikush nga evropianët apo dikush tjetër nuk e dimë, por e kemi parë që kanë folur. Ndoshta kanë ndryshuar diçka në plan, nuk e dimë”, kanë theksuar ata.
Ditë më parë për Gazetën inFokus, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri pati deklaruar se këtë muaj përfundojnë punët në pjesën veriore të urës problematike.
Bahtiri gjithashtu theksoi se hapja e urës do të bëhet me ceremoni solemne, e cila do të organizohet nga Bashkimi Evropian. /Gazeta inFokus
