Featured
Mungesa e Odës së Inxhinierëve të Kosovës ndikon në mosrespektimin e Ligjit të Ndërtimit

Gjatë ndërtimit të një objekti është shumë e rëndësishme që ajo që është projektuar në letër të praktikohet.
Asistenti në Fakultetin e Arkitekturës dhe Inxhinierisë, Fidan Salihu në një intervistë për Ndërtimi.info ka thënë se një objekt duhet të jetë i projektuar në atë mënyrë që të përballojë peshën e vetë dhe ndikimet e jashtme si ngarkesat që vendosen në objekt, ndikimet e borës, ndikimet e erës, ndikimet nga lëkundet e tokës dhe ndikimet termike në rast të ndonjë zjarri.
Ai, ka shtuar s enë Kosovë ka bazë ligjore për ndërtim, mirëpo problem konsideron mungesën e Odës së Inxhinierëve.
“Në vendin tonë ka bazë ligjore sa i përket ekzekutimit të objekteve, Ligji i Ndërtimit dhe udhëzimet administrative. Problemi qëndron në atë se moszbatimi i plotë i ligjit dhe udhëzimeve është se mungon Oda e Inxhinierëve të Kosovës. Oda përpos që do të bënte licencimin e inxhinierëve do ta rriste përgjegjësinë tek inxhinierët sepse në rast të moskryerjes së detyrës në mënyrë të duhur do t’i merrej licenca ose do të dënohej”, ka thënë ai.
Salihu ka potencuar se derisa ka hapësirë të mos respektohet ligji atëherë mbetet në ndërgjegjen e secilit që ta bëjë atë sa ia lejon etika personale.
