Aktuale
Mungesa e ndriçimit nëpër lagje, rrezik për qytetarët e Prishtinës
Mungesa e ndriçimit publik në Komunën e Prishtinës po paraqet problem për qytetarët që banojnë në lagje të ndryshme të kryeqytetit. Qytetarët thonë së mungesa e ndriçimit, si dhe dëmtimi i poçeve elektrikë nga qytetarët e pandërgjegjshëm në lagjet ku ata banojnë, po ua vështirëson jetën qytetarëve.
“Siç po e shihni edhe vetë, këtu në lagjen ‘Kalabria’, në rrugën kryesore ‘Rexhep Krasniqi’ nuk ka ndriçim. Ndriçimi publik është një shqetësim i të gjithë qytetarëve në këtë lagje”, tha Arjeta Gashi, qytetare e lagjes “Kalabria”.
Lidhur me këtë problem, Bashkim Sadiku, nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, thotë se ndriçimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve ndriçuese bëhet sipas zonave dhe kërkesave të qytetarëve në ato vende ku ka nevojë për intervenime.
“Në vazhdën e mirëmbajtjes dhe zgjerimit të ndriçimit, ne kemi shkuar duke e bërë riparimin dhe mirëmbajtjen e poçeve si dhe zgjerimin e ndriçimit të parqeve të reja, parkingjeve. Të gjitha këto vetëm varen edhe nga projekti”, theksoi Sadiku.
Në anën tjetër qytetarët e intervistuar nga Radio Kosova kërkojnë nga komuna që problemin e ndriçimit publik ta ketë me prioritet.
“Ne, si qytetarë të kësaj lagjeje apelojmë te Komuna e Prishtinës, që ta marrë sa më parë parasysh këtë lagje dhe ta furnizojë me ndriçim, po ashtu edhe lagjet e tjera, pasi që në Prishtinë ka shumë lagje që u mungon ndriçimi publik”, tha tutje Gashi.
Përveç mungesës së ndriçimit, në shumë lagje të kryeqytetit, përgjegjësia mbetet edhe te qytetaret, të cilët ndonjë prej tyre qëllimisht i thyejnë poçet elektrike edhe në ato vende ku ka ndriçim.