Aktuale
Muharremaj: Zona Industriale krijon 600 vende të reja të punës në Suharekë

Në një vit qeverisje në krye të Suharekës për kryetarin Bali Muharremaj është punuar sa në gjithë mandatin e kaluar.
Ai në një intervistë për KosovaPress ka treguar sukseset dhe sfidat gjatë vitit që lëmë pas.
Muharremaj konsideron se për punën e tij flasin veprat, duke theksuar investimet në infrastrukturë, si dhe hapjen e Zonës Industriale me vlerë prej 2.3 milionë eurosh, e cila brenda pak kohe Suharekës do ja shtojë 600 vende të reja pune.
E rëndësishme për Muharremajn është ndërtimi i katër shtëpive të reja të shëndetësisë, si dhe përfundimi i projekteve në rregullimin e rrugëve.
“Me prioritetet që kam pas dhe premtimet që kam dhënë gjatë fushatës së vitit të kaluar kanë ndodhur që shumë probleme i kemi tejkaluar qysh në vitin e parë. Duke filluar prej shëndetësisë, atë që e kam premtuar kam arritur para një muaji ta realizoj, kemi lëshuar katër Shtëpi të Shëndetit të reja. Kemi marrë pesëdhjetë punëtorë të rinj, kemi filluar të punojmë me dy ndërrime. Sa i përket infrastrukturës, ka ndryshime shumë të mëdha këtë vit, është punuar mjaft shumë,edhe në qytet ashtu dhe në fshatra. Në qytet janë diku rreth tetëdhjetë projekte në përfundim, një ashtu dhe nëpër fshatra. Komuna e Suharekës numëron 42 fshatra, deri tash vetëm në tre fshatra nuk është punuar, nuk ka fshat tjetër që nuk është punë këtë vit. Këtë vit kemi realizuar mbi treqind projekte, jemi në mbyllje të tyre, si risi mund të thuhet se kam premtuar dy unaza. Unazën e parë e kemi përfunduar, të qytetit, po fillojmë unazën e dytë, mirëpo kemi për t’i bërë tre unaza këtë mandat. Kemi filluar shkollë me buxhet të komunës, kemi filluar palestër me buxhet të komunës”, ka thënë ai.
Në lidhje me vërshimet që kanë ndodhur në fillim të vitit 2018, i pari i Suharekës tha se kanë arritur që të marrin rreth 1.1 milion euro nga Qeveria. Sipas tij, këto të holla janë ndarë në mënyrë transparente.
“Arritëm të marrim diku mbi 1.1 milion euro për t’i paguar dëmet në amvismi dhe njashtu kemi ndarë dhe katërqind mijë euro nga komuna, ku jemi duke rregulluar dy kanale, për arsye që të mos kemi më vërshime në qytetin e Suharekës. Kështu, deri tash kemi arritur t’u shpërndajmë mbi 900 familjeve ndihma në amvismi dhe deri tash kemi pasur vetëm gjashtë ankesa, jo më shumë. Të gjitha familjet pa dallim janë kompensuar, a ka punuar në Zvicër a ka punuar në Gjermani, apo në Itali, këtë herë nuk kemi bërë ndarje dhe njëherë po të them kemi paguar dëmshpërblim tetëdhjetë për qind, jo njëqind për qind”, deklaroi Muharremaj.
I pari i Suharekës thotë se dallimi me qeverisjen e kaluar është tek interesimi në bujqësi, sipas tij, për dallim prej viteve të kaluara buxheti është rritur njëqind për qind.
“Ne kemi filluar, është një projekt i madh, zona industriale është njëra ndër zonat më të mira në Kosovë. Diku vlera është mbi 2.3 milionë euro, dhe këtë mandat besoj që duhet të përfundojë komplet. Me përfundimin e kësaj, pritet të shtohen rreth gjashtëqind vende të reja të punës. Në bujqësi për këtë vit e kemi rritë buxhetin qind për qind, në rend të parë kemi marrë gjashtë ekspertë të bujqësisë, kanë punuar gjashtë muaj në terren, ju kanë dhanë këshilla bujqve, e kanë klasifikuar tokën se me çka duhet të merren këta bujq. E kemi bërë ndarjen e serrave, për herë të parë këtë vit kemi ndarë serra nga pesë ari, nuk kemi pasur asnjë ankesë. Përpara kemi ndarë nga një ari, ka qenë konkurrenca shumë më e madhe, por këtë vit kemi thënë jo një ari, por pesë, për arsye se me pesë ari ka zhvillim ekonomik, nuk e kam pasur asnjë ankesë. Vitin e ardhshëm, ndryshojmë, jemi të interesuar të mbjellim vreshta, pra të fillojmë të kultivojmë vreshta, do t’i japim nga pesë ari vreshta”, shtoi kryetari Muharremaj.
Përkundër këtyre investimeve, ai thotë se problematike është mos interesimi i të rinjve për punë fizike. Ai deklaron se nuk ka interesim për punën e kamerierit dhe atë të kuzhinierit.
Muharremaj thekson se ka kompani që kanë kërkuar punëtorë në disa fshatra, mirëpo nuk kanë mundur të gjejnë.
“Kemi shumë të rinj që kanë kryer fakultete, sidomos ekonomik dhe juridik, që presin për punë. Por, për punëtorë fizikë kemi problem të gjejmë në Suharekë. Kemi problem me kamerierët, kuzhinierët dhe kemi problem të gjejmë punëtorë të cilët firmat e komunës sonë kërkojnë çdo vit punëtorë në ndërtimtari. Nuk mungon vullneti, mirëpo për fat nuk ka që dëshirojnë të punojnë punë fizike. Kemi pasur kërkesa në fshatin Novobiq, disa kompani kanë ardhur të kërkojnë punëtorë, por nuk kemi mundur të gjejmë. Kemi fabrikën e tekstilit në Mushtisht që ka kërkuar gra të shkojnë të punojnë, nuk kemi mundur të gjejmë. Kemi pasur kërkesë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e çdo fshati, nga një punëtor, në disa fshatra nuk kemi mundur të gjejmë punëtor që paga ka qenë diku 300 euro, e kanë me kontratë të punës, dhe këtu nuk kemi pasur mundësi të gjejmë”, përfundoi Muharremaj.
