Aktuale
MTI-ja shpërfill Ligjin për Ndërtim, nuk pajiset me leje ndërtimi

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë duket se ligjet nuk po bëjnë punë.
Ani pse Ligji për Ndërtim parasheh që për çdo ndërtim, rindërtim, rrënim, riparim të objekteve dhe intervenim në fasada duhet të kërkohet leja ndëertimore, në MTI e kanë shpërfillur këtë ligj.
Për projektin “Ndërtimi i mbikalimit për këmbësor dhe dy bus stacioneve përballë Parkut të Biznesit Drenas”, vlera 109 mijë e 264 euro (kontrata bazë 99,741€ dhe ankes kontrata prej 9,523€), ministria nuk është pajisur me leje ndërtimore. Procedurat e ndërtimit për këtë projekt kanë filluar vetëm në bazë të pëlqimit të marrë nga Ministria e Infrastrukturës, shkruan ndërtimi.info
“Ndërsa përkundër mungesës së lejes ndërtimore ministria ka kontraktuar një operator ekonomik për të bërë pranimin teknik të projektit dhe për këtë ka paguar 8,150€, pa bazë/kërkesë të qartë rregullative/ligjore. Raporti i pranimit teknik është bërë me 18.12.2017. Më këtë rast, në mungesë të lejes ndërtimore ministria ka shkaktuar paqartësi rreth pranimit teknik dhe pajisjes me certifikatë të përdorimit për ndërtimin në fjalë”.
Kështu thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI).
Në raportin e auditorit thuhet se për të gjitha objektet që kërkohet leja ndërtimore pas përfundimit të punëve merret edhe certifikata e përdorimit e cila lëshohet nga organi kompetent, i cili lëshon lejen e ndërtimit.
“Për marrjen e certifikatës së përdorimit nuk parashihet të bëhet pagesë. Inspekcioni ndërtimor ka të drejtë të bëjë inspektimin final të vend ndërtimit dhe poseduesi i lejes ndërtimore duhet t’i siguroj qasje të arsyeshme në vend ndërtim”, thuhet në raport.
E mungesën e lejes ndërtimore, auditori po e konsideron si shembull jo të mirë dhe që mund t’a ekspozoj ministrinë para rreziqeve nga inspektorati i ndërtimit. Gjersa, shton se shpenzimet për pranimin teknik rezultojnë në mos justifikimin e duhur të parasë publike.
ZKA-ja rekomandon Ministrin që të siguroj se trajtohet mungesa e lejes ndërtimore dhe në koordinim dhe bashkëpunim me organet kompetente të marrë veprime për çështjen e lejes së përdorimit dhe të sigurohet se të gjitha shpenzimet e bëra justifikohen dhe kanë mbështetje ligjore./Ndërtimi.info
