Trashëgimia
Monumenti më i vjetër i Tiranës, atraksion për turistët

Mozaiku i Tiranës, monumenti më i vjetër, monument kulture i kategorisë I, është siti arkeologjik më i vizituar i kryeqytetit shqiptar.
Punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës në Sektorin e Tiranës, ditën e sotme janë marrë me pastrimin nga vegjetacioni dhe mirëmbajtjen e Mozaikut të Tiranës, për ta bërë një atraksion turistik të denjë për këtë sezon turistik, transmeton kp.
Punonjësit po kryejnë një punë sistematike e cila kryhet periodikisht për mirëmbajtjen dhe kujdesin e veçantë për objektet të cilat ndodhen aty pasi kanë një vlerë të veçantë historike dhe kulturore.
Siti arkeologjik “Mozaiku i Tiranës”
Gërmimet arkeologjike nxorën në dritë një ndërtesë kulti, ku narteksi dhe naosi kanë dysheme të shtruar me mozaikë. Kisha e Tiranës paraqet një ndërtesë me aks gjatësor të orientuar nga verilindja që përbëhet nga një sallë qendrore (naos) dhe parasallës (pronaos).
Salla qendrore është e shtruar me mozaikë përfundon me absidën gjysmërrethore në një nivel më të lartë se parasalla.
Ambiente të tjera u gjetën në anën veriore dhe anët e tjera të ndërtesës. Kemi të bëjmë me një ndërtesë të kthyer në një kohë të dytë në kishë, që kuptohet nga krijimi i parasallës, në mozaikun e të cilës ka simbole të kultit si kryqe, peshq e shpendë, ndërsa mozaiku i sallës ka më tepër dekor gjeometrik.
Kështu që kisha mund të datohet si e gjysmës së parë të shekullit IV, kur akoma nuk ishte formuar qartë tipologjia arkitekturale.
Mozaiku i Tiranës për nga ana e ndërtimit, materiali dhe teknika e përdorur i përket artit paleokristian. Mozaiku shtrohej mbi një shtresë që nivelonte kalldrëmin prej zajesh lumi duke përdorur llac gëlqere dhe pluhur tjegullash. Mozaiku i Tiranës është restauruar në vitin 1976.
