Aktuale
Monumentet e Prishtinës – të pambrojtura nga posterët e partive

Gjatë fushatës zgjedhore të gjithë përfaqësuesit e partive politike trumbetojnë se do ta mbrojnë trashëgiminë kulturore. Flasin me zell se si do ta shndërrojnë atë në aset të shtetit e potencial për turizëm. Por derisa bëjnë deklarime të tilla, vetë subjektet të cilave u takojnë veprojnë në kundërshtim me ligjin.
Me qëllim të përfitimit të votave, në disa monumente janë vendosur bilborde e pano reklamuese. Një gjë e tillë është bërë pa pëlqim të institucioneve të trashëgimisë kulturore në kundërshtim me Ligjin që rregullon këtë fushë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Hoteli “Grand” është një ndër ndërtesat qendrore të kryeqytetit. Sikurse në zgjedhjet qendrore të vitit 2017 edhe sivjet është duke u keqpërdorur shkaku i përfitimeve elektorale.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, e kundërkandidatët e tij për këtë pozitë, Vjosa Osmani e Fatmir Limaj, shihen në bilbordet e vendosura në hotelin që prej vitit 2015 është aset i trashëgimisë kulturore i renditur në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Bilbordet e kryetarit aktual të Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ministrit në detyrë të Tregtisë, Endrit Shala, po ashtu i janë veshur monumentit. Shpend Ahmeti e Vjosa Osmani po ashtu në kundërshtim me Ligjin janë duke u reklamuar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Krahas tyre, në një bilbord qëndrojnë edhe Kadri Veseli, Uran Ismaili, Eliza Hoxha, e ish-ministri i Kulturës Memli Krasniqi. Këto veprime bien në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore.
“Trashëgimia arkitekturale nën mbrojtje shenjёzohet qartë me një shenjë të dukshme. Vendosja e materialeve reklamuese në monumentet arkitekturale, ndërtesat e asambleve ose brenda hapësirave konservuese arkitekturale bëhet me leje të shkruar nga Institucioni kompetent”, shkruhet në pikën e 10-të të nenit 6 të Ligjit për trashëgimi kulturore, që është në fuqi qysh prej vitit 2006.
Proceduralisht do të duhej që paraprakisht të kërkohej pëlqim për vendosjen e bilbordeve në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. Ky institucion nuk ka pranuar ndonjë kërkesë.
Milot Mustafa, tash e dy muaj është ushtrues detyre i drejtorit të QRKT-së, pasi drejtoresha Edona Gashi-Dërguti gjendet në pushim të lehonisë. Mustafa ka thënë se nuk janë kërkuar pëlqime për vendosjen e materialeve reklamuese në asnjërin monument.
