Aktuale
MMPH për ligjin e ri: Objekte te cilat nuk mund të legalizohen në fund do të rrënohen

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme plenare kanë miratuar Ligjin e shumëpritur atë për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.
Me këtë Ligj që mori votën e vetëm 56 deputetëve prej 66 sa ishin prezentë, pritet të ketë përmirësime në aspektin e procedurave dhe në aspektin e thjeshtësisë së dokumenteve të kërkuara dhe shpërndarje të detyrave nëpër institucionet komunale e qendrore, kështu deklarojnë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).
Bajram Kadriu nga zyra e informimit në këtë ministri për Ndërtimi.info ka treguar se do të bëhet edhe rrënimi i objekteve të cilat nuk do të mund të legalizohen.
“Ato objekte te cilat nuk mund të legalizohen në fund do të rrënohen sipas procedurave ligjore”, tregoi Kadriu.
Madje ky Ligj po konsiderohet i kompletuar për të trajtuar çështjen e trajtimit të ndërtimeve pa leje.
“Në masë te madhe konsiderohet si i kompletuar për të trajtuar çështjen e trajtimit te ndërtimeve pa leje”, është shprehur Kadriu.
Në bazë të këtij Ligji taksa për objektet e thjeshta të kategorisë së parë do të jetë 1 euro për metër katror. Ndërsa, taksa për objektet e kategorisë së dytë do të jetë 2 euro për metër katror.
Qëllimi i këtij Ligji është trajtimi gjithëpërfshirës i ndërtimeve pa leje deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij Ligji, krijimin e procedurave të thjeshtëzuara për ta mundësuar legalizimin dhe për të ndihmuar qytetarët që të realizojnë përfitime nga ndërtimet e tyre, ofrimi i shërbimeve përmes një sporteli të vetëm (One Stop Shop) për legalizim dhe regjistrim të ndërtesave dhe pjesëve të ndërtesave në kadastër dhe regjistrimin e pronarit të ndërtimit pa leje dhe pjesëve të ndërtesave në Regjistrin e të Drejtave në Pronë të Paluajtshme.
Gjithashtu parashihet edhe identifikimi i ndërtimeve pa leje në mënyrë që komunave t’u mundësohet planifikimi dhe ofrimi më i mirë i shërbimeve për banorët në territorin e tyre.
Ky Ligj nuk është i aplikueshëm për ndërtimet e regjistruara në Kadastër dhe Regjistrin e të Drejtave në Pronë të Paluajtshme në kohën e hyrjes në fuqi të këtij Ligji.
